Efekti financiar i rritjes së pagave në buxhet për tetë muajt e këtij viti, prill-dhjetor 2023 do të jetë 11 miliardë lekë. E njëjta vlerë do të jetë edhe për vitin pasardhës.
“Rritja e pagave në buxhet për tetë muajt, pra prill-dhjetor 2023. Efekti financiar pritet të jetë rreth 11 miliardë lekë. Edhe për vitin 2024 llogaritet po e njëjta vlerë, 11 miliardë lekë. Ndërsa nga 2025 e tutje, efekti do të jetë në total 39 miliardë lekë. Diferenca e përqindjes midis administratës dhe rritjes së pagës së presidentit, ministrave dhe deputetëve është e madhe, 98.5% kundrejt 1.5%”.
Në një dalje për mediat mbi treguesit ekonomikë, ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj, deklaroi se ekonomia shqiptare ka një ecuri pozitive. Sipas të dhënave të INSTAT, rritja në periudhën janar-mars vlerësohet në masën 2,72%.
“Shërbimet dhe Pasuritë e paluajtshme kanë pasur rolin kryesor në performancën pozitive të ekonomisë. Sipas të dhënave të INSTAT, aktivitetet dhe shërbimi pati një rritje me 31,84% ndjekur nga Aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme, me rritje prej 11,02%.
Nëse vërehen nëngrupet, pesha e ndërtimit dhe tregtisë në rritjen ekonomike ka qenë më minimale gjatë tre muajve të parë të vitit përkatësisht me 4.54 % dhe 3.52%.
Aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit pati rritje me 0,04% duke pasur një kontribut të vogël në rritjen ekonomike. Negativisht kontribuoi grupi: Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative me 0,14 pikë përqindje. Rritja ekonomike ishte me e lartë se Maqedonia e Veriut e se Serbia. Mesatarja e rritjes së vendeve të BE-së ishte 1%”.
Ministrja tha se edhe në muajt në vijim ekonomia do të ketë ecuri pozitive, ndikuar më së shumti nga sektori i turizmit.
“Në muajt e ardhshëm rritja ekonomike në vend parashikohet të ketë një ecuri më pozitive. Kjo si pasojë e ndikimit të sektorit të turizmit. Të dhënat e turizmit tregojnë se ka pasur një rritje me 7.2% në 5 muajt e parë të këtij viti.
Ka qenë me performancën më të lartë historike. Në 5-mujorin e parë, numri i shtetasve të huaj që hynë në Shqipëri është rritur me 42%, ose 700 mijë më shumë se vitin e kaluar.
Turizmi ka filluar të jetë një dukuri e shpërndarë gjatë gjithë vitit. Presim që turizmi të vijojë që të ketë një performancë pozitive. Po ashtu, efekte pozitive në ekonomi pritet të japë edhe ulja e nivelit të inflacionit. Brenda vitit të ardhshëm, inflacioni parashikohet që të kthehet në objektiv. Në parashikimet e qeverisë, rritja ekonomike për vitin 2023 parashikohet 2.6%”, deklaroi ministrja.