Kryeministrat e Greqisë dhe Shqipërisë do të takohen në Vilnius pasditen e datës 11 korrik.
Sipas informacioneve, ka qenë pala greke, e cila ka pranuar që dy liderët të takohen për të ristartuar bisedimet dhe kontaktet e ndërprera për shkak të fushatës zgjedhore në Greqi por edhe të çështjes Beleri.
Çështja Beleri do të jetë kryefjala e bisedimeve, me zotin Micotaqis të ripërsërisë këtë herë edhe në takim tet a tet me kryeministrin Rama, se zoti Beleri duhet të vijojë detyrën si kryetar i zgjedhur i bashkisë së Himarës, në funksion të asaj që Athina e quan funksionim i shtetit të së drejtës dhe respektimi i pakicave kombëtare dhe minoriteteve në vendin ton
Përkundër lehtësimit të masës ndaj zotit Beleri, Athina ka kërcënuar se do të jenë organizmat europiane të cilat do të penalizojnë Tiranën zyrtare në rrugën e saj europiane nëse zoti Beleri nuk do të lejohet të ushtrojë detyrën e tij si kryetar i zgjedhur në bashkinë e Himarës.
Mbetet për të parë sesi zoti Rama do t’i shpjegojë homologut të tij grek se as ai dhe askush nuk mund të ndërhyjë pranë gjykatës së posaçme për zotin Beleri, pasi ajo është një gjykatë që deri tani ka treguar se nuk merr as komandë dhe as orientime prej qeverisë socialiste të Tiranës, çka tregon edhe fakti se kjo gjykatë ka goditur jo pak eksponentë të së majtës shqiptare