Thursday, October 10, 2024
HomePolitikëZbardhet marrëveshja për shtensionimin e situatës në veri, BE zbulon një fjali...

Zbardhet marrëveshja për shtensionimin e situatës në veri, BE zbulon një fjali që s’e përmendi Qeveria e Kosovës

-

Brenda dy javësh pritet të shtensionohet situata në veri, në bazë të një marrëveshjeje të arritur ndërmjet zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak. Qeveria tregoi pikat e marrëveshjes, por nuk e përfshiu një detaj. Burime zyrtare nga Brukseli i thanë Expressit se marrëveshja e detyron Kosovën edhe që të “mos ndërmarrë asnjë lëvizje që mund të përshkallëzojë situatën”.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak zhvilluan një takim të mirë të hënën në Bratisllavë, që rezultoi me një dakordim për shtensionimin e situatës në veri. Zyrtarja për shtyp e BE-së, Zoï Muletier tha se Bislimi dhe Petkoviç u pajtuan për hapat e parë që duhet t’i bëjë Kosova për shtensionimin e situatës, duke përmendur edhe një element që Qeveria nuk e tha. “Ata diskutuan përgjigjen e Kosovës ndaj kërkesave të BE-së për de-përshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës, organizimin e zgjedhjeve të parakohshme lokale në 4 komunat veriore dhe kthimin në zbatimin e Marrëveshjeve të Dialogut, sipas deklaratës së 3 qershorit të BE-së”, tha Muletier.

“Ata ranë dakord për hapat e parë prioritarë të Kosovës në të gjitha këto 3 fusha”, shtoi ajo. Fushat për të cilat u morën vesh Bislimi e Lajçak përfshijnë “zvogëlimin e menjëhershëm të prezencës së policisë brenda dhe përreth ndërtesave komunale”. Gjithashtu, siç i tha Muletier, Kosova do të bëjë rregullisht vlerësime të përbashkëta të sigurisë me EULEX-in dhe me KFOR-in sipas rastit, për të vlerësuar mundësinë e zvogëlimit të mëtejshëm të pranisë policore “duke mos ndërmarrë asnjë lëvizje që mund të përshkallëzojë situatën”. Po ashtu, Kosova duhet të përgatitet për zgjedhje të parakohshme lokale.

“Emisari i ka ftuar kryenegociatorët në Bruksel javën e ardhshme për t’i vazhduar diskutimet mbi zbatimin e Marrëveshjes së re për Rrugën e Normalizimit dhe aneksin e zbatimit të saj, me shpresën që palët të bien dakord për hapat e ardhshëm që mundësojnë që zbatimi i plotë i Marrëveshjes të fillojë pa vonesë të mëtejshme”, tha Muletier.

Çfarë tha Qeveria?
Zyra e Kryeministrit njoftoi të martën në darkë për rezultatin e takimit ndërmjet zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe emisarit europian, Miroslav Lajçak. Qeveria në një komunikatë rreth orës 22:00 i tregoi pika e marrëveshjes për shtensionim, por nuk përmendi pjesën që Kosova është pajtuar që të “mos ndërmarrë asnjë lëvizje që mund të përshkallëzojë situatën”. “Qeveria e Kosovёs publikisht e tregon gatishmёrinё e saj pёr tё kontribuar nё deeskalimin e situatёs dhe mosndёrmarrjen e veprimeve qё mund tё eskalojnё situatёn nё veriun e vendit. Kjo përfshin njё zvogëlim tё menjëhershëm nё masën e 25% tё prezencës policore nё dhe rreth ndërtesave komunale”. Kështu e përshkruan Ekzekutivi pikën e parë të dakordimit me BE-në.

“Policia e Kosovës bashkё me EULEX-in dhe KFOR-in, sipas nevojës do të vlerësojnë gjendjen e sigurisë, nё veçanti pёr tё shikuar mundësinë pёr zvogëlim tё mëtejme tё prezencës policore nё dhe rreth ndërtesave komunale”, thuhet në pikën e dytë, sipas Qeverisë. Qeveria gjithashtu është pajtuar, siç njoftoi vetë, që “pёrmes njё deklarate publike mbështet mbajtjen e zgjedhjeve tё parakohshme nё 4 komunat nё veri tё vendit dhe atё pas stinës sё verës” dhe që ta “shpreh përkushtimin pёr sigurimin e bazës sё nevojshme ligjore pёr tё mundësuar organizimin e këtyre zgjedhjeve”. Pika e fundit ka të bëjë me takimin ndërmjet Bislimit e Petkoviçit që pritet të zhvillohet javën e ardhshme. “Veprimet e sipërpërmendura do tё finalizohen brenda njё periudhe dyjavore”, u tha në komunikatën e ZKM-së.

Related articles

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
3,912FollowersFollow
3,572SubscribersSubscribe
spot_img

Latest posts