Presidenti i Republikës Bajram Begaj priti sot në takimin e lamtumirës, Ambasadoren e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Christiane Hohmann.
Gjatë takimit, Presidenti Begaj çmoi rolin e Ambasadores Hohmann në detyrën e rëndësishme të përfaqësimit të delegacionit të BE-së në Tiranë.
Kreu i Shtetit vuri në dukje se Hohmann erdhi në krye të delegacionit vetëm pak ditë pasi Shqipëria kishte çelur negociatat për anëtarësim me Bashkimin Evropian një vit më parë.
Për Kreun e Shtetit, anëtarësimi në BE është objektivi strategjik më madhor i Shqipërisë dhe shqiptarëve. Në fund të takimit, Presidenti Begaj i uroi suksese znj. Hohmann në karrierën e saj.