Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale prezantoi në Kuvend, ndryshimet ligjore të cilat i hapin rrugën kultivimit dhe përpunimit të kanabisit dhe prodhimit të nënprodukteve të tij, për qëllime mjekësore dhe industriale.
Manastrliu tha se ndryshimet ligjore janë propozuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministria e Brendshme, pas nismës së Këshillimit Kombëtar, do të lejojë përdorimin për eksport të bimës së kanabisit për përdorim mjekësor dhe industrial.
Gjatë prezantimit të ligjit, para deputetëve në Kuvend, Ministrja Manastirliu kujtoi se gjatë Këshillimit Kombëtar të Zhvilluar nga qeveria 61% e qytetarëve i thanë idesë së lejimit të kanabisit mjekësor.
Manastirliu u shpreh se nuk do të lejohet përdorimi i produkteve të kanabisit për qëllime mjekësore në Shqipëri.
“Efektet terapeutike njihen gjerësisht në mjekësi, efekte kundër dhimbjes kronike, për aspekte të sëmundjeve neurologjike, terapive që lidhen me sëmundje tumorale apo HIV-AIDS. Për sa i përket aspekteve ekonomike hap një degë të re, ashtu sikurse edhe në vende të tjera të cilat tashmë kanë një eksperiencë në këtë fushë. Ka një trend të rritjes së kërkesës për produkte dhe nënproduktet e tij”, tha ministrja.
Sipas saj, “ky projektligj do të gjejë një zbatim për sa i përket veprimtarive të licencuara në katër drejtime kryesore”.
“E para, për sa i përket importit të farës, fidanit apo riprodhimit të tyre; e dyta, për sa i përket kultivimit të kontrolluar të bimës së kanabisit mjekësor dhe industrial, prodhimit të nënproduktit ose produktit përfundimtar, qarkullimin e bimës, nënproduktit apo produktit përfundimtar të saj dhe deri në eksport.
Këto do të jenë nënprodukte apo produkte të cilat do të shkojnë vetëm për eksport, pra për qëllime mjekësore, por i referohen eksportit jo përdorimit në vend. Pra në këtë fazë, ky projektligj nuk do të lejojë përdorimin e nënprodukteve apo produkteve të kanabisit për qëllime mjekësore në Shqipëri”, tha Manastirliu.
Manastirliu tha se për të monitoruar veprimtarinë do të ngrihet një agjenci e posaçme në nivel kombëtar për mbikëqyrjen dhe kontrollin rigoroz të veprimtarisë të të gjitha subjekteve që do pajisen me licencë.
“Ky ligj parashikon të krijohet një institucion i posaçëm, që do të jetë Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Kanabisit. Të gjithë personat që do të punësohen në këtë agjenci do të plotësojnë edhe kriteret për pastërtinë e figurës si dhe kritere të veçanta profesionale.
Sa i përket funksionit të agjencisë do të përfshijë që nga dhënia e licencave, mbikëqyrja e veprimtarisë së subjekteve që do të lejohen, hartimin e standardeve për zonat dhe parcelat e tokës, bashkëpunimin me institucione kombëtare dhe ndërkombëtare.
Agjencia do të mbajë dhe regjistrat mbi bazën e të dhënave dhe statistikave në nivel kombëtar me një informacion në kohë reale. Kjo agjenci do të ketë dy njësi, për qëllime mjekësore dhe për qëllime industrial me veprimtari mbikëqyrëse, kontrolluese, inspektuese në bashkëpunim me ministritë përgjegjëse”, tha Manastirliu.
Ndryshimet ligjore për “Kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së kanabisit dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale” është konsultuar me grupet e interesit, shoqërinë civile, partnerë dhe Zyrën e BE në Shqipëri. Ligji eshtë bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare.
Manastirliu kujtoi se “bima e kanabisit për qëllime mjekësore është i legalizuar në mbi 35 shtete, si Greqia, Izraeli, Danimarka, Kanadaja, Republika e Maqedonisë së Veriut, Holanda. Në kontinentin evropian janë 22 vende që kanë një legjislacion specifik për përdorimin dhe eksportin e kanabisit për arsye mjekësore dhe industriale”, përfundoi ajo.