Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka kërkuar ndihmën e Shteteve të Bashkuara (SHBA) për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), gjatë një takimi me senatorin amerikan, Jack Reed, të martën në Prishtinë.
Osmani tha më 8 gusht se SHBA-ja “nuk kanë aleate dhe mike më të madhe në rajon se sa Republikën e Kosovës”, duke e cilësuar popullin kosovar si “më proamerikan në Evropë dhe në botë”.
Ajo e falënderoi senatorin Reed, i cili është kryesues i Komisionit të Forcave të Armatosura në Senatin e SHBA-së, për mbështetjen e ShBA-ve për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), respektivisht përfshirjen e Kosovës në Asistencën e Trajnimit Ushtarak të SHBA-së me Ligjin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare të vitit 2024.
”Kosova synon për anëtarësim në NATO dhe përfshirje në Partneritet për Paqe (PfP), ndaj është e rëndësishme edhe e domosdoshme mbështetja e SHBA-së në përshpejtimin e këtij procesi. Shpresa jonë është që Kosova të jetë sa më parë në PfP si hap që i paraprinë anëtarësimit në NATO”, tha Osmani.
Në lidhje me zhvillimet politike dhe të sigurisë, sipas njoftimit, presidentja theksoi e Kosova ka bërë hapa për shtensionimin e situatës në veriun e vendit, si dhe “ka vërë në dukje veprimet destabilizuese të Serbisë dhe bashkëpunimin e saj me Rusinë.”
“Ajo, po ashtu ka theksuar se Kosova është shtet multietnik, Kushtetuta e së cilës garanton nivel të lartë të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të të gjitha komuniteteve. Sipas Presidentes Osmani këto të drejta dhe liri, janë thelbi i vlerave të shoqërisë së Kosovës dhe si të tilla duhet të mbeten të paprekura”.