Marrëveshja me Shqipërinë mbi migracionin po ndihmon qeverinë e Britanisë së Madhe të ndalë përfundimisht dyndjen masive të viteve të fundit të emigrantëve të jashtëligjshëm përmes kanalit të La Manshit, deklaroi kryeministri britanik Rishi Sunak, në një videomesazh në Twitter.
Sunak rendit marrëveshjen mes 5 hapave më të rëndësishëm që po ndërmerr për t’i dhënë zgjidhje një problemi të trashëguar nga pararendësit e tij.
”Marrëveshja me Shqipërinë, që na ka ndihmuar të ulim mbërritjet në ishull me 90%”, theksoi Sunak.
”Marrëveshja e Dhjetorit” parashikon që të gjithë shqiptarët që hyjnë në Britani me rrugë të paligjshme të rikthehen menjëherë pa iu nënshtruar procedurave të azilit, duke qenë se Shqipëria konsiderohet një vend i sigurt origjine.
Emigrantët e jashtëligjshëm mund të dënohen me deri 5 vite burg, sipas ligjit të ri të miratuar në Qershor 2022 për ata që shkelin kufijtë britanikë.