Ministri i Brendshëm, Taulant Balla zhvilloi një takim me pedagogë e drejtues të Universitetit të Tiranës, me qëllim vënien e urave të bashkëpunimit institucional në kuadër të programeve të ekselencës për Policinë e Shtetit. Balla u shpreh se trupa e policisë ka nevojë të rinovohet dhe të thellojë vetëpastrimin e saj. Ai nënvizoi se do të dërgojë në kuvend disa ndryshime në ligjin për Policinë e Shtetit, i cili do të lehtësojë procesin e rifreskimit të organizatës së policisë.
Në fjalën e tij, Ministri Balla u shpreh se sfida për ta rinovuar Policinë e Shtetit është një sfidë e hapur.
“Sfida për një rritje cilësore të nivelit profesional dhe trajnimin e vazhdueshëm të punonjësve të Policisë së Shtetit është po ashtu një
sfidë e hapur. Sfida për të pastruar Policinë e Shtetit ka hyrë natyrshëm në një fazë të re, e cila natyrshëm kërkon edhe partneritete me institucione që prodhojnë kuadro me nivel të mirë dhe cilësor arsimor.”, tha Balla.
Më tej, duke u ndalur në çështjen e bashkëpunimin me USH, ministri Balla thekaoi se
“jam sot këtu në Universitetin e Tiranës pikërisht për të planifikuar së bashku një të ardhme të afërt të Policisë së Shtetit, e cila synon një ndryshim dhe patjetër theksi shkon te vetëpastrirmi i radhëve të Policisë. Brenda strukturës së policisë ne tashmë po krijojmë mekanizma, të cilët synojnë të promovojnë njerëz me integritet të lartë moral dhe profesional,” tha Ministri.