Sunday, December 8, 2024
HomeAktualitetTeknologjia dhe proceset e automatizuara po “zëvendësojnë” ikjen e punonjësve në emigrim

Teknologjia dhe proceset e automatizuara po “zëvendësojnë” ikjen e punonjësve në emigrim

-

Në historinë postkomuniste, krahu i lirë i punës ka qenë një nga avantazhet e pakta konkurruese të ekonomisë shqiptare. Ndërmarrjet prodhuese dhe eksportuese u mbështetën për dekada me radhë në këtë avantazh në ngritjen dhe rritjen e bizneseve të tyre.

Kambanat se një ditë, ky avantazh do të shuhej gradualisht, tingëllonin të largëta, madje edhe në fillimet e dekadës së fundit, kur nisi një valë e re e emigracionit të të rinjve, përfshirë edhe ata të arsimuar.

Por, në vitet e fundit, me daljen nga pandemia dhe me valën e fortë të inflacionit të importuar, bizneset u “zgjuan” dhe kuptuan se kanë një problem të madh: forca e punës po bëhet gjithnjë e më e pamjaftueshme dhe e kushtueshme.

Megjithëse jemi ende larg hyrjes në Bashkimin Europian, konkurrenca në tregun e punës nga vendet ekonomikisht më të zhvilluara tashmë është një realitet i prekshëm, sidomos për profesione të veçanta.

 

Ky fenomen po prek kategori të punës së specializuar dhe më pak të specializuar, duke filluar nga mjekësia, teknologjitë e informacionit dhe të komunikimit e deri te bujqësia.

 

Produktiviteti i punës është i ulët
Rritja e kostos së punës është një problem serioz për një ekonomi si ajo e Shqipërisë, që historikisht ka pasur produktivitet të ulët të punës.

Produktiviteti i punës është një tregues i rëndësishëm, i lidhur ngushtë me rritjen ekonomike, konkurrencën dhe standardet e jetesës brenda një ekonomie. Produktiviteti i punës përfaqëson vëllimin e përgjithshëm të prodhimit (në termat e Prodhimit të Brendshëm Bruto, PBB) për njësi të punës, i matur në raport me numrin e personave të punësuar ose të orëve totale të punës, gjatë një periudhe të caktuar kohore.

Të dhënat krahasuese nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) tregojnë se në vitin 2021, Shqipëria kishte produktivitetin më të ulët në rajon dhe ndër më të ulëtit në Europë, duke lënë pas vetëm Ukrainën dhe Moldavinë.

Statistikat krahasuese përdorin si njësi matëse dollarin ndërkombëtar, njësi monetare hipotetike që përdoret në funksion të paritetit të fuqisë blerëse.

Prodhimi i Brendshëm Bruto për orë pune në Shqipëri vlerësohej në 15.57 dollarë. Mes vendeve të rajonit, Shqipëria paraprihet nga Serbia, me 17.38 dollarë; Maqedonia e Veriut, me 20.64 dollarë; Bosnjë- Hercegovina, me 25.3 dollarë dhe Mali i Zi, me 26.14 dollarë. Statistikat e ILO-s nuk japin informacion për Kosovën.

Struktura e investimeve në kapital fiks dominohet nga ndërtimi

Përmirësimi i produktivitetit të punës mbështetet kryesisht te rritja e cilësisë së kapitalit njerëzor, por sidomos te rritja e përdorimit të teknologjisë në proceset e punës.

Shkaqet e produktivitetit të ulët të punës së ekonomisë shqiptare duhen kërkuar pikërisht te këta faktorë.

Duke shfrytëzuar krahun e lirë të punës për dekada me radhë, ndërmarrjet, sidomos në sektorët e industrisë, nuk janë shqetësuar shumë për të kërkuar mënyra për rritjen e produktivitetit, sidomos nëpërmjet investimeve në teknologji.

Struktura e investimeve në ekonominë shqiptare dominohet gjerësisht nga ndërtimi. Për vitin 2021, ndërtimi përbënte 77.7% të formimit bruto të kapitalit fiks në ekonomi dhe pesha e tij ka qenë relativisht konstante në dekadën e fundit, mesatarisht 76.2% në periudhën 2011-2021.

Makineritë dhe pajisjet në vitin 2021 përbënin 16.4% të kapitalit fiks të formuar gjatë periudhës, duke shënuar nivelin më të ulët që prej vitit 2014.

Mesatarja e dekadës 2011-2021 është gjithsesi pranë niveleve të vitit 2021, me rreth 16.2% të peshës specifike ndaj kapitalit të ri fiks të formuar në ekonomi.

Ndërkohë, investimet në teknologji më të avancuara të llojit software (programe kompjuterike dhe databaza) zënë ende një peshë shumë të ulët.

Në vitin 2021, ato përbënin rreth 1.7% në strukturën e formimit të kapitalit fiks dhe ky është niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë.

Pesha specifike e tyre ka ardhur në rritje të vazhdueshme në dekadën e fundit, por vetëm në vitin 2020, ato kanë kaluar kufirin e 1% të vlerës së kapitalit fiks të formuar.

Këto shifra tregojnë se struktura e investimeve të bizneseve shqiptare nuk është shumë e orientuar në teknologji dhe në automatizim.

Related articles

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
3,912FollowersFollow
3,572SubscribersSubscribe
spot_img

Latest posts