E transformuar nga themelet, Puka tashmë është një destinacion i mirëfilltë turistik. Infrastruktura është në harmoni me elementet natyror që duket se vete Zoti nuk ja kursyer zonës veriore, vetëm 138 km larg kryeqytetit shqiptar, Tiranës.
Asnjë gjurmë e së shkuarës nuk ka mbetur në qytetin e famshëm për ajrin, mikpritjen dhe ushqimin organike. Transformimi i kryer nga investimet që Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka bërë për llogari të Qeverisë Shqiptare dhe Bankës së Këshillit të Evropës për kualifikimin urban të sheshit para bashkisë, ish-hotel turizmit, pedonalen dhe hapësirat përreth, fasadat dhe çatitë e rikonstruktuara dhe projekte të tjera të zbatuara tashmë, kanë filluar t’i japin rezultatet e para. Qyteti ngjan tamam si një oaz mahnitës. Pejsazhi i gjelbërt, kaltërsia e liqenit, puhizat verore që sjellin këndshëm aromën e pishave dhe bredhave tashme po I japin Pukës një dimension të ri në fushën e turizmit.
Për ata që nuk kanë qenë kurrë, ose të tjerë që nuk e kanë shkelur Pukën prej vitesh, me siguri që do të mbeten pa fjalë prej qytetit alpin.
E teksa të rinjtë që vizitojnë këtë pjesë të veriut shqiptar janë të apasionuar pas ecjes në masive pyjore pa fund të Pukës, lundrimit në liqenin e Komanit dhe eksplorimit të Shpellave, të moshuarit që janë dhe vizitorët besnik të zonës, preferojnë qëndrimin nën kurorën e gjelbërt të qytetit.
E si për të vërtetuar këtë takojmë Ndue Lushi, ai ka ardhur nga Fushë Kruja, është rreth të 70, dhe bie në sy nga frymëmarrja e thellë që merr poshtë kurorës së gjelbër të liqenit. “Ka disa vite që vi në Pukë. Unë vuaj nga astma, mjekët më kanë rekomanduar Pukën si vend ku mund të kurohem në formë natyrore për problemin shëndetësor. Ky është viti I tretë që vi dhe ma besoni sa here vi këtu ndjehem shumë mirë. Ajrin e pastër dhe aromën e bredhave dhe pishave e ndjej deri në mushkëri. Pukë është një lloj terapie për jetën, nëse mund ta konsideroi kështu. Unë qëndroj rreth dy jave dhe jam bërë si i shtëpisë. Në mjediset e Hotel Turizmit ku akomodohem, çmimet janë të përballueshme për mua, ushqimi po ashtu, kushtet e hotelit standarde, vendasit janë mikpritës, të flasin, të përshëndesin, të ftojnë për kafe. Je tamam si në shtëpi” thotë i moshuari.