Policia e Rrugores në Tiranë në bashkëpunim me Policinë Bashkiake të kryeqytetit kanë ndërmarrë një plan masash në lidhje me përdorimin e skuterave elektrikë dhe patinave.
Janë vendosur 17 rregulla të reja që përdoruesit e këtyre mjeteve duhet të zbatojnë. Mos zbatimi i këtyre rregullave parashikon ndëshkimin me gjobë të përdoruesit të mjetit.
Njoftimi i Policisë:
Policia Rrugore Tiranë, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake Tiranë, kanë ndërmarrë një fushatë sensibilizuese për rregullat e sigurisë rrugore me përdoruesit e patinave elektrike në kryeqytet!
Respekto rregullat e qarkullimit rrugor, lëviz i sigurt në rrugët e kryeqytetit!
Rregullat:
1. Drejtuesit e mjeteve me pedale dhe të patinave elektrike në lëvizjen e zakonshme në rrugë ku lëvizin dhe mjete të tjera duhet të mos bëjnë shmangie të papritura ose lëvizje zigzage që mund të bëhen pengesë ose rrezik për mjetet që vijnë pas.
2. Ata duhet të qarkullojnë në rrugë të rezervuara për ta kur ato ekzistojnë, përveç ndalimeve për kategori të caktuara me mënyrat e përcaktuara nga aktet në zbatim, duke zbatuar rregullat e përcaktuara të ecjes plotësisht në krahun e djathtë.
3. Kur afrohen në degëzime e kryqëzime duhet të respektojnë sistemin e sinjalizimit rrugor, të zvogëlojnë shpejtësinë deri në ndalim të plotë dhe të marrin masa për t’i kaluar ato pa rrezik.
4. Këto mjete të kenë gjendje të mirë teknike dhe sisteme frenimi funksionale.
5. Drejtuesit e mjeteve rrugore me pedale dhe të patinave elektrike, kur drejtojnë këto mjete detyrimisht duhet të vendosin në kokë kaska mbrojtëse, sipas modelit të përcaktuar të tipave të miratuar për
Bashkimin Evropian (Marka CE).
6. Në rastin e kalimit të rrugës me trafik të dendur dhe në përgjithësi kur e kërkojnë rrethanat, drejtuesit e mjeteve me pedale dhe të patinave elektrike janë të detyruar të kalojnë rrugën duke mbajtur mjetin me pedale për dore.
7. Në çdo rast, kur duan të kthehen majtas, të kthehen djathtas apo të ndalojnë, drejtuesit e mjeteve me pedale dhe të patinave elektrike duhet të japin sinjale në kohën e duhur, me krah.
8. Gjysmë ore pas perëndimit të diellit, gjatë të gjithë periudhës së errësuar dhe ditën, nëse kushtet atmosferike kërkojnë ndriçimin, mjetet me pedale dhe patinat elektrike, që nuk janë të pajisura me sistemet përkatëse të sinjalizimit pamor, nuk mund të përdoren, por vetëm të merren për dore.