Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, bëri thirrje që viti 2030 të caktohet si afati deri kur Bashkimi Evropian dhe vendet kandidate të jenë të gatshëm për zgjerim.
Gjatë fjalimit në Forumin Strategjik të Bledit, Michel tha se BE-ja duhet të përballet me dilemën se a do të jetë vetëm një union që merret me menaxhimin e krizave apo një aktore që vendos për të ardhmen.
Ai pranoi se rruga e gjatë e shteteve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së, që ka nisur para më shumë se 20 vjetësh, ka shkaktuar zhgënjim te shumë njerëz, si në rajon, ashtu edhe në bllokun evropian.
“Pajtohem me kancelarin [e Gjermanisë, Olaf] Scholz kur thotë se BE-ja duhet të mbajë premtimet e veta”, shtoi Michel.
Kësaj radhe, presidenti i Këshillit Evropian bëri thirrje edhe për caktimin e një agjende të qartë e me afate kohore.
“Në kohën kur ne po përgatisim agjendën e ardhshme të BE-së, duhet të vendosim para vetes edhe caqe të qarta. Unë besoj se ne duhet të jemi gati, nga të dyja anët, që më 2030 të zgjerohemi. Kjo do të thotë se buxheti i ardhshëm shumëvjeçar duhet të përfshijë edhe këto qëllime tona. Kjo është shumë ambicioze, por e domosdoshme. Dëshmon se ne jemi serioz. Do të krijojë momentum”, tha ai.
Michel paralajmëroi se në samitin e ardhshëm të BE-së liderët do të diskutojnë edhe për procesin e zgjerimit. Por, nga temat në kuadër të zgjerimit, ai përmendi vetëm mundësinë e hapjes së negociatave të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë, si dhe kthimin e Bosnje e Hercegovinës në agjendë.
Ai e pranoi se do të ishte ideale që të gjithë të hynin në BE në të njëjtën kohë, por theksoi se procesi i zgjerimit do të vazhdojë të mbesë i bazuar në meritat e vende që janë në proces. Në këtë kontekst ai përmendi edhe përshtatje e vendeve aspiruese me politikat e BE-së, përfshirë edhe në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë.
Michel u bëri thirrje shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor që të zgjidhin konfliktet e tyre dypalëshe.
“Zgjidhja e konflikteve dypalëshe nga e kaluara mund të jetë më e dhimbshme sesa reformat. Por, është e domosdoshme. Ju në këtë rrugë do të ndiqni rrugën e njëjtë sikurse edhe vendet themeluese të BE-së. Nuk ka bashkëpunim pa pajtim. Dhe, të jemi shumë të qartë, nuk ka vend në BE për konfliktet e së kaluarës”, theksoi ai.