Wednesday, July 17, 2024
HomeAktualitetKurti: “Aleatët e Rusisë” po ndikojnë në procesin e normalizimit të raporteve...

Kurti: “Aleatët e Rusisë” po ndikojnë në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë

-

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akuzoi “aleatët e Rusisë” se përmes dezinformimit dhe sjelljeve të tjera dashakeqe në fushën kibernetike, po ndikojnë në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kurti gjatë samitit “Open Government Partnership” në Talin të Estonisë tha se këto veprime në Kosovë janë duke u intensifikuar.

“Në Kosovë, përpjekjet nga aleatët e Rusisë për të shtrembëruar të vërtetë, të kaluarën dhe të tashmen, janë të dukshme dhe po intensifikohen. Gjatë kohës së ndjeshme, kur shteti ynë është i përkushtuar në procesin e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara për të normalizuar raportet me fqinjin tonë verior, Serbinë, por edhe për përfshirjen e plotë të minoriteteve në proceset demokratike të shtetit, pa ndikim nga jashtë, këto kërcënime kibernetike, sikurse dezinformimi, bullizimi kibernetik dhe forma të tjera janë veçmas përcaktuese”, tha Kurti.

Edhe në të kaluarën, autoritetet në Kosovë kanë akuzuar Rusinë se po shtyn aleaten e saj, Serbinë, që të nxisë tensione në Kosovë, përkatësisht në veriun e banuar me shumicë serbe. Por, këto pretendime janë hedhur poshtë nga Kremlini.

Po ashtu, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian vazhdimisht kanë paralajmëruar për ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor.

Në një raport të mëhershëm të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë thuhej se ndikimi i Rusisë në Kosovë mund të interpretohet si “keqdashës” dhe “armiqësor”. Por, në raport u tha se operacionet ruse të ndikimit “janë kryesisht të kufizuara te serbët e Kosovës”.

Komentet e bëra nga Kurti më 6 shtator vijnë disa ditë pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pa ofruar prova, tha se Serbia synon të zbatojë një plan të ngjashëm me atë që zbatoi Rusia në Ukrainë më 2014.

Ajo iu referua aneksimit të paligjshëm të Krimesë dhe mbështetjes së separatistëve pro-rusë në luftën e tyre kundër forcave ukrainase në rajonin lindor të Donbasit.

Që nga viti 2011, Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog për normalizimin e plotë të raporteve, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Rundi i ri i dialogut pritet të zhvillohet më 14 shtator, pas muajsh të rritjes së tensioneve mes dy vendeve.

Tensionet u rritën në fund të shkurtit në veri të Kosovës, pasi banorët serbë që jetojnë në atë zonë, po kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë. Autoritetet qendrore së fundi kanë ndërmarrë hapa që do të mundësonin shkarkimin e kryetarëve komunalë përmes një peticioni./REL

Related articles

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
3,912FollowersFollow
3,572SubscribersSubscribe
spot_img

Latest posts