Friday, May 24, 2024
HomeAktualitetVOA: Për 6 muaj, rreth 16.500 shqiptarë kërkuan azil në Europë dhe...

VOA: Për 6 muaj, rreth 16.500 shqiptarë kërkuan azil në Europë dhe Britani

-

Nga Zëri i Amerikës

Ikja nga Shqipëria vijon që të jetë me ritme të larta. Rreth 16.500 shtetas shqiptarë kërkuan azil në vendet e Bashkimit Europian dhe në Britaninë e Madhe në gjysmën e parë të këtij viti. Sipas raportit të Agjencisë së Bashkimit Evropian për Azilin, (EUAA), publikuar të mërkurën, në periudhën janar–qershor të vitit 2023, në vendet e Bashkimit Europian u paraqitën 4779 kërkesa për azil nga shtetasit shqiptarë, 3602 prej të cilave për herë të parë.

Sipas agjencisë europiane për azilin, 3444 aplikime të bëra dhe gjatë viteve të tjera janë në pritje për t`u shqyrtuar, ndërsa nga 4642 vendime të dhëna, shkalla e vendimeve pozitive është tejet e ulët për shtetasit shqiptarë dhe nuk e kalon 1%. Ndërsa sipas autoriteteve britanike në Angli u paraqitën nga shtetasit shqiptarë për 6 muajt e parë të këtij viti, 11790 aplikime për azil.

Tendenca e aplikimeve për azil të shqiptarëve vijon të mbetet tejet e lartë krahasur jo vetëm me vendet e rajonit, por edhe më gjerë. Të dhënat e gjysmës së parë të këtij viti tregojnë për shifrat më të larta të aplikimeve për azil të shqiptarëve krahasuar me vitet e fundit. Sipas të dhënave të Agjencisë Europiane për Azilin në vitin 2022 në vendet e Bashkimit Europian u shënuan 13.043 aplikime për azil nga shtetasit shqiptarë nga 11,210 që ishin shënuar në vitin 2021 dhe 6.498 në vitin 2020.

Gjysma e parë e këtij viti ka dëshmuar një zhvendosje të madhe të kërkesave për azil të shqiptarëve nga Europa drejt Britanisë së Madhe. Sipas të dhënave të autoriteteve britanike të emigracionit, shqiptarët në Angli radhiten të parët për nga kërkesat për azil për gjysmën e parë të këtij viti, duke ia kaluar kështu edhe shtetasve nga Afganistani.

Ndërkohë sipas Agjencisë Europiane për Azilin gjatë gjysmës së parë të 2023, në vendet e Bashkimit Europian u paraqitën në total 519 000 aplikime për azil, me një rritje prej 28% krahasuar me gjysmën e parë të vitit 2022. “Bazuar në tendencat aktuale, aplikimet mund të kalojnë 1 milion deri në fund të 2023”, thotë raporti i Agjencisë. “Shumë vende të Bashkimit Europian janë nën trysni për përpunimin e aplikacioneve dhe mbrojtjen e personave në nevojë, pasi numri i çështjeve në pritje të vendimeve është rritur me 34 % nga viti 2022”, thotë raporti.

Sipas Agjencisë, përveç kësaj, janë edhe rreth 4 milionë ukrainas që ikën nga pushtimi rus, që aktualisht përfitojnë nga Mbrojtja e Përkohshme. Agjencia europiane për azilin thotë se këto tendenca paralele paraqesin sfida të rëndësishme për autoritetet e azilit dhe sistemet e e pritjes në Bashkimin Europian dhe deri në qershor të 2023, po ofronte ndihmë operacionale për 13 shtete anëtare.

Related articles

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
3,912FollowersFollow
3,572SubscribersSubscribe
spot_img

Latest posts