Në nisje të muajit të ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit, kryeministri Edi Rama iu është drejtuar me një thirrje të gjitha grave dhe vajzave që të kryejnë mamografinë.
Rama bëri thirrjen e përvitshme në çdo Tetor Rozë për të gjitha gratë dhe vajzat që të marrin fare pak kohë për t’u kujdesur për veten, duke bërë mamografinë.
Gjithashtu ai u kujtoi të gjitha familjeve për t’u përkujdesur ndaj nënave, grave, motrave e vajzave që të kryejnë kontrollet mjekësore për të parandaluar surpriza të padëshiruara shëndetësore.
Muaji tetor njihet ndryshe si “Tetori rozë”, muaj kushtuar ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. Qëllimi është të rritet numri i ekzaminimeve për kapjen e hershme të kancerit dhe për rritjen e mundësive për një shërim të plotë të gruas.
Për të rritur ndërgjegjësimin, përgjatë gjithë muajit tetor, organizohen evente të ndryshme, me pjesëmarrjen edhe të politikaneve, artisteve, gazetareve e të tjera gra me ndikim, të cilat japin mesazhe inkurajuese në mënyrë që kjo nismë të përqafohet nga sa më shumë gra.