Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i shoqëruar nga Drejtori i Policisë së Durrësit, Skënder Hita, zhvilloi një takim me strukturat e Komisariatit të Policisë në Kavajë, ku theksoi nevojën për thellimin e procesit të vetëpastrimit të radhëve të policisë dhe rritjen e besimit të publikut.
Balla nënvizoi gjithashtu angazhimin për të përmirësuar kushtet financiare, qoftë sa i përket pagës së përgjithshme nëpërmjet ndryshimeve në buxhetin e ardhshëm, ashtu edhe për pagesat e orëve shtesë që u miratuan në mbledhjen e fundit të qeverisë.
“Ky Komisariat mbulon një vijë të rëndësishme bregdetare dhe me një numër shumë të madh hotelesh dhe një numër shumë të madh turistësh që vizitojnë gjithë bregdetin së bashku me pjesën që mbulon në tërësi Drejtoria e Durrësit. Duhet të jemi të përgatitur për vitin e ardhshëm, i cili do të jetë një vit me një numër edhe më të madh se ky që kishim. Prandaj ne kemi menduar të krijojmë edhe një Forcë Kombëtare të Sigurisë, e cila të mbështesë komisariatet. Detyra e Ministrit të Brendshëm lidhet drejtpërdrejt me trajtimin e duhur financiar të punonjësve të policisë. Kemi kaluar në qeveri një akt normativ ku i japim zgjidhje të gjitha pagesave apo detyrimeve të prapambetura me orët jashtë orarit, i cili hyn në fuqi menjëherë. Në ditët në vijim, për çdo orë jashtë orarit të punës do të kryhet pagesa dhe do ta ndjek personalisht”, deklaroi Balla.