Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku theksoi sot në fjalën e mbajtur në takimin për sezonin turistik se angazhimi i Policisë së Shtetit ka qenë i veçantë dhe shumëdimensional.
Ai renditi disa arsye, e para nga të cilat ka të bëjë me fluksin e jashtëzakonshëm të turistëve dhe pushuesve që zgjodhën vendin tonë që e cilësoi si tregues i besimit dhe vlerësimit të qytetarëve të mbarë botës, te standardet e sigurisë, rendit dhe qetësisë publike në vend.
“Së dyti, në një mënyrë a një tjetër, vështirë të gjendet një qytetar, turist apo pushues që së paku një herë gjatë sezonit turistik veror 2023, të mos ketë marrë shërbim, asistencë apo informacion nga një punonjës policie. Ky kontakt i drejtpërdrejtë, i shënjuar me ndjenja të larta përgjegjësie, profesionalizmi dhe humanizmi, i dedikohet angazhimit shumëdimensional të Policisë së Shtetit”, tha Rrumbullaku.
“Së treti, si çdo punë tjetër e kalibrit të lartë të cilësisë, dhe ky sezon turistik nuk u mirëmenaxhua vetëm. Partnerë ndërkombëtarë, misione të rëndësishme, patrullime të përbashkëta me policitë e Italisë dhe Kosovës, shkëmbime përvojash dhe eksperiencash me policinë e Kroacisë dhe reagime të koordinuara me shërbimet mbështetëse të zjarrfikësve, të shëndetësisë dhe të pushtetit vendor, kanë shoqëruar dhe vijojnë të shoqërojnë punonjësit e Policisë së Shtetit, për çështje të integruara të cilat kërkojnë përkushtim dhe ndërhyrje të përbashkëta”, shtoi ai.