Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka ndërprerë vizitën zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është nisur menjëherë drejt Shqipërisë.
Lajmi njoftohet nga Zyra e Shtypit e LSI-së dhe sipas saj ndërprerja është bërë “për të sqaruar konfuzionin e krijuar ditëve të fundit që kanë për qëllim prishjen e konsensusit historik parlamentar të 21 korrikut për reformën në drejtësi”. Para nisjes së papritur për në Shqipëri, Ilir Meta ftoi për një drekë pune eurodeputetin Fleckenstein dhe të pranishëm në këtë drekë ishin edhe Lulzim Basha, Pandeli Majko dhe Olta Xhaçka. Në fjalën e dhënë për mediat, Fleckenstein “zyrtarizoi” qëndrimin e Bashkimit Europian për rëndësinë e miratimit të ligjeve të tjera të reformës në drejtësi. “Ne patëm një drekë të këndshme së bashku edhe me kryetarin e Partisë Demokratike Basha si edhe me përfaqësues të lartë të Partisë Socialiste. Pas betejës tonë të përbashkët për reformën në drejtësi, gjatë ditëve dhe javëve në vazhdim, jo ne, por ata do të gjejnë një zgjidhje të përbashkët për respektimin e ligjeve” tha ai. Vetë Ilir Meta më herët në intervistën e dhënë për zërin e amerikës theksoi se koalicioni qeverisës PS-LSI nuk përballet me asnjë rrezik qe mund të sjellë ndërprerjen e bashkëpunimit.
Meta deklaroi se nuk duhen ngatërruar deklaratat politike për reformën me marrëveshjen për bashkëqeverisje. Duke folur për reformën, Meta tha se parlamenti është i gatshëm të mblidhet në çdo moment për të miratuar në mënyrë konsensuale shtatë ligjet e nevojshme. Sa i takon zbatimit te reformës, kryeparlamentari nënvizoi se të gjithë politikanë duhet të përgjigjen para drejtësisë për veprimet e tyre. Kreu i kuvendit Ilir Meta ishte i ftuar ne konventën e demokrateve ne Filadelfia.