Saturday, November 23, 2024
HomeKronika1 kg droge ne banesen e administratorit te Pultit Tom Marku

1 kg droge ne banesen e administratorit te Pultit Tom Marku

-

Ka mjaftuar një operacion blic i forcave të policisë në bashkëpunim me ato të ndërhyrjes së shpejtë që në njësinë administrative të Pultit në Dukagjin të dalin në dritë sipërfaqe të tëra të kultivuara me drogë, por më rëndë akoma edhe zyrtarë lokalë të përfshirë në kultivim. Në pranga ranë administratori i Pultit Tom Marku, kryeplaku i Kirit Ndue Kopshtaj dhe një shtetas, si dhe u sekuestruan 2 kg e 963 gr lëndë narkotike. 20 mijë rrënjë të mbjella në 99 parcela asgjesuan në operacionin dy ditor rreth 200 forca policie të angazhuara në terren, të cilat shtrinë veprimin edhe me kontrollin e 2 banesave. Fillimisht në shtëpinë e administratorit Tom Marku u gjet 1 kg e 303 gr lëndë narkotike si dhe një armë gjahu shotgan me 6 fishekë. Ndërsa tek banesa e shtetasit Nikolin Deda, u gjet 1 kg e 660 gr lëndë narkotike. Pasi u kryen veprimet proçeduriale policia vuri në pranga administratorin 60 vjeçar Tom Markun për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhim dhe shitja te tyre”, “Shpërdorim detyre” dhe “Prodhim e mbajtje pa leje e armëve të gjuetisë sportive”. Ndaj 29 vjeçarit Nikolin Deda banues në Grudë Re, rendojne akuzat “Kultivim i bimëve narkotike” dhe “Prodhim dhe shitje e narkotikeve”, ndërsa ndaj Ndue Kopshtaj, 31 vjeç, banues në fshatin Shtoj i Vjetër, Kryeplak i fshatit Kir, “Kultivim i bimeve narkotike”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojne zbulimin e së vërtetës”. Në njoftimin e saj policia thotë se operacionet do të vijojnë edhe në ditët e ardhshme duke shtrirë veprimin në të gjithë zonën e Dukagjinit, që vijon të kryesojë listën e kultivimit. Burime policore thonë se ky aksion i ndërmarrë në Pult dhe Temal u bë në fshehtësi, ku një pjesë e zyrtarëve të Shkodres dhe punonjësve të tjerë të komisariatit nuk janë sinjalizuar nga frika e dekonspirimit të operacionit tek kultivuesit e lëndëve narkotike. Administratori i Pultit Tom Marku tashmë i ndaluar nga policia më herët ka mbajtur mandatin e këshilltarit në këshillin bashkiak të Shkodres, por pak muaj pas betimit dha dorëheqjen për tu emeruar nga kryebashkiakja Voltana Ademi në detyrën e administratorit të Pultit. Daljet e tij të fundit në media i bëri përmes deklaratave të forta se në zonën që administron nuk ka kultivim të narkotikeve dhe egziston bashkëpunimi i mire me policinë, por pak ditë më vonë ra vetë në pranga si i përfshirë në kultivimin e kanabisit.

Related articles

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
3,912FollowersFollow
3,572SubscribersSubscribe
spot_img

Latest posts