Është ngjitur mbrëmjen e së shtunës në skenën e teatrit “Migjeni”, varieteja “Je Shkodran në qoftë se” e trupës së estradës profesioniste. Për më shumë se 2 orë interpretimet brilante të mjeshtrës së madhe Zyliha Miloti, Besnik Çinarit, Drande Xhaj, Agron Dizdarit, Gëzim Krujës, Muhamet Çekinit, Anton Krosajt etj, si dhe këngëtarëve të mirënjohur të qytetit dhuruan tek spektatori të qeshura pa fund. Gjithçka erdhi nën kujdesin e regjisorit Zehrudin Dokle, i cili me këtë variete shënoi rikthimin pas shume vitesh në Shkoder, aty ku perjetoi edhe një prej sukseseve të mëdha asokohe me estradën profesioniste. Tema aktuale që lidhen me jetën e përditshme të ardhura nën humorin e hollë dhe të veçantë të artistëve të Shkodres, janë pjesë e kësaj varieteje që do të ngjitet në skenë përgjatë të gjithë javës.