Konflikti për pronësinë u bë shkas që vëllai të ngrejë armën mbi vëllanë, duke e lënë këtë të fundit të plagosur në gjendje kritike për jetën.
Ngjarja u shënua në familjen Zallina në fshatin Kosmaç, bashkia Vau Dejës.
Në pranga ka rënë një 52-vjeçar, ndërsa i plagosur me armë zjarri sipas policisë ka mbetur vëllai i madh, 64 vjeç.
Çdo gjë ka ndodhur mëngjesin e së shtunës, kur vëllezërit Zallina janë takuar njëri me tjetrin dhe më pas kanë nisur të debatojnë. Debati ka degjeneruar në fyerje, ndërsa vëllai i vogël Din Zallina 52 vjec është larguar për tu rikthyer pas disa minutash duke qëlluar me breshëri kallashnikovi vëllanë e tij 64 vjecarin A. Zallina.
Për pasojë ky i fundit ka mbetur i plagosur, ndërsa është transportuar në spitalin e Shkodrës ku i është dhënë ndihma mjekësore.
Më pas duke qënë se gjendja e tij paraqitej kritike për jetën, u dërgua në spitalin e traumës në Tiranë.
Fillimisht të afërmit deklaruan se 64 vjeçari është vetëplagosur, por gjatë marrjes në pyetje policia arriti të zbulojë se 64 vjeçari është qëlluar me automatik nga i vëllai, i cili ishte fshehur në një automjet pranë spitalit.
Ai u vu menjëherë në pranga nga policia dhe gjatë dëshmisë ka rrëfyer edhe vendin ku kishte fshehur armën.
Ajo u sekuestrua pak metra larg vendit të ngjarjes dhe do të shërbejë si provë materiale. Grupi hetimor ka dalë në konkluzion se vellëzërit Zallina në bazë të dëshmive dhe hetimeve të kryera, se kishin prej kohësh me njeri tjetrin probleme pronësie.
Policia e Shkodrës informon: “U gjet dhe u sekuestrua arma e dyshuar me të cilën ka kryer ngjarjen, si dhe motivi i kësaj ngjarje dyshohet se është për probleme pronësie”
I dëmtuari ndodhet në spitalin rajonal Shkodër duke marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Autori i dyshuar ndodhet në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër për veprime të mëtejshme proceduriale.