Vllaznia bën historinë. Me fitoren e realizuar mbrëmjen e së premtes në pallatin e sportit “Asllan Rusi” të kryeqytetit, e treta radhazi në finalet e fazës së Plej-Ofit, kueqblutë janë shpallur kampionë të Shqipërisë në volejboll për meshkuj për sezonin sportiv 2016-2017. Një dëshirë dhe objektiv që volejbolli shkodran e ka kërkuar dhe synuar ta realizojë prej vitesh, por edhe pse breza të tërë volejbollistësh të talentuar dhe trajnerësh po aq të aftë në drejtm, merita e këtij suksesi i takon emrave të tillë si kapiteni Ditmir Rrashketa që pati fatin ta marrë personalisht në dorëzim trofeun e titullit kampion gjatë ceremonisë së organizuar në kryeqytet, për të vijuar me kolegët e tij, vëllezërit Nikolin dhe Anton Qafarena, serbin Vladan Gjorgjeviç, Renato Kola, Fatjon Çekini, Gledis Lloshi, Endri Jukni, Ardit Taflaj, Tuard Drinazi, Marjan Gjoklaj, Atrid Miloti, Klaudio Preka, të drejtuar me plot kompetence dha aftësi profesionale nga trajneri Mark Kroqi, i cili padyshim që mjeshtrinë dhe përvojën disa vjeçare si një nga volejbollistët më të mirë të Vllaznisë dhe Shqipërisë, diti t’ia transmetojë këtyre djemve. Suksesi i kësaj skuadre ka meriten e madhe sepse sjellë për herë të parë në historinë e volejbollit shqiptar titullin kampion në qytetin e Shkodrës, pikërisht në edicionin e 71-të të zhvillimit të Kampionatit Kombëtar për meshkuj. Mbërritja e Vllaznisë tek titulli kampion duket se vjen me një meritë të padiskutueshme, pasi për hirë të së vertetes, përpos ndonjë luhatje në fazën e dytë të kampionatit, shkodranët i dhanë sinjalet e para kur bëhen fitues të Kupës së Flamurit në Kosovë. Më pas një tjetër përfaqësim shumë dinjitoz ishte ai në konkurimin e Kupës së Shqipërisë, ku të gjithë i kanë akoma të freskta emocionet që dhuroi finalja e këtij kompeticioni, Partizani-Vllaznia, e cila e luajtur në pallatin e sportit “Asllan Rusi” të kryeqytetit u deshen pesë sete në mënyrë që në setin final Partizani të fitonte me pikët shtesë, 17 me 15. Dhe, emocionet e dhuruara nga volejbollistët shkodranë të drejtuar nga trajneri i tyre Mark Kroqi vazhdojnë edhe më të forta në përballjen gjysënfinale të fazës së Plej-Ofit ku pas tre ndeshjeve, Vllaznia eleminon Partizanin me rezultatin 2 me 1. Por, padyshim që kulmi i suksesit janë përballjet në finale, ku duke e mundur tre herë radhazi me të njëjtin rezultat në sete 3 me 1, shpallet kampione e Shqipërisë. Sukses që do të mbahet mend gjatë për opinionin sportiv shkodran dhe më gjërë, por që patjetër që ky titull i parë, me siguri do të pasohet edhe me të tjerë në periudhën në vazhdim.