Friday, April 19, 2024
HomeAktualitetRaporti që nxjerr bllof investimet e huaja në Shqipëri; Maqedonia dhe Serbia...

Raporti që nxjerr bllof investimet e huaja në Shqipëri; Maqedonia dhe Serbia kryesojnë për hapjen e vendeve të punës

-

Capture24-267x230

Shqipëria ka arritur rekordin e Investimeve të Huaja Direkte në vitin 2016, me gati 1 miliard euro, që është më i larti në rajon, nëse e krahason me Prodhimin e Brendshëm Bruto. Në vitin 2016, Investimet e Huaja Direkte ishin 9.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa në Serbi ishin 6.3% dhe në Maqedoni 5.3%, sipas të dhënave nga Banka Botërore.

Por, këto investime të larta në vlerë nuk kanë qenë të mjaftueshme për të hapur vende pune. Ndryshe ka ndodhur me fqinjët, Serbia dhe Maqedonia që e kanë pasur fokusin e tyre në tërheqjen e investimeve me vlerë të shtuar, që gjenerojnë vende pune dhe eksporte të qëndrueshme.

Raporti vjetor 2017 i institutit të njohur amerikan të teknologjisë IBM (Institute for Business Value) i titulluar “Tendencat Lokale të Zhvendosjes” (Global Location Trends), publikuar ditët e fundit, e ka renditur Serbinë si të parin në botë për numrin e vendeve të punës së krijuara nga investimet e huaja në raport me popullsinë. Në vend të dytë është Bahrejn dhe në vend të tjerë është fqinji tjetër Maqedonia. Në listë ka dhe shtete të tjera nga rajoni, si Kroacia dhe Rumania, ndërsa Shqipëria mungon.

Serbia dhe Maqedonia renditen të parët dhe të tretët në botë për sa i përket numrit të vendeve të punës krijuar vitin e kaluar në raport me madhësinë e popullatës së tyre, teksa të dy vendet kanë shfrytëzuar avantazhet e politikave që kanë ndjekur në tre-katër vitet e fundit, thuhet në raportin e IBM.

Moldavia është shteti i ri që ka hyrë në këtë listë, thotë raporti. Vendi u rendit i shtati, ndërsa Kroacia dhe Rumania ishin përkatësisht në pozicion të 11 dhe 19.

“Këto rezultate tregojnë se Ballkani Perëndimor është tashmë dukshëm në radarin e investitorëve të huaj, me kompanitë që po i shohin gjithnjë e më shumë shtetet e rajonit si vende tërheqëse për zgjerimin e tyre në Europë”, – tha IBM në raport.

Në mënyrë interesante, thotë raporti, 11 shtete, nga 20 performuesit më të mirë në renditen sipas vendeve të punës në raport me popullsinë, janë nga Europa Lindore.

Serbia u rendit edhe e 13-a në botë për sa i përket numrit të vendeve të punës të krijuara në 2016, pasi kishte rezultuar me një rritje prej 25% të investimeve, ndërsa Rumania ishte e 18-a.

Pse Shqipëria mungon
Ndonëse Shqipëria ka investime të larta në vlerë, ajo mungon në renditjen e IBM, çka nënkupton se ato nuk kanë arritur të hapin vende pune. Investimet e huaja arritën në 983 milionë euro në vitin 2016, duke arritur në një nivel rekord, sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Sipas aktivitetit ekonomik, sektori që ka tërhequr më shumë investime është ai i energjisë dhe gazit, që i referohet kryesisht investimeve nga gazsjellësi TAP, që filluan në vitin 2016 dhe pritet të kulmojnë në 2017-n.

Pjesën më të madhe të investimit të gazsjellësit e zë vlera e tubave, që futen nën tokë dhe nuk kanë vlerë të lartë të shtuar në ekonomi. Investimet në energji dhe gaz janë rritur me 183%, duke arritur në 369 milionë euro, ose gati 40% e totalit. Investimet në industrinë nxjerrëse ishin 92 milionë euro, por edhe këto janë kryesisht investime në hapjen e puseve të naftës, që nuk sjellin vende të reja pune.

Investimet në sektorët e tjerë ishin minimalë, si shërbimet financiare (kryesisht në kapitalin e bankave) me 76 milionë euro (sektori bankar është në fazë maturimi e ristrukturimi dhe dy vitet e fundit ka qenë inaktiv në hapjen e vendeve të punës), nga 80 milionë euro një vit më parë dhe ato në pasuritë e paluajtshme me 50 milionë euro, që janë dyfishuar në raport me një vit më parë.

Ndryshe nga Shqipëria, që kënaqet me shifrat e larta në vlerë absolute, për shtetet fqinjë, Maqedoni e Serbi, parësore ka qenë se sa të qëndrueshme janë këto investime, sa vende të reja pune hapin dhe çfarë vlere të shtuar i kanë sjellë ekonomisë. Dhe siç tregon raporti, ato ia kanë dalë të jenë shumë më eficiente në këtë drejtim. Të dy shtetet kanë qenë aktive në tërheqjen e industrive mbështetëse automotive dhe industrive përpunuese./monitor/

(BalkanWeb)

Related articles

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
3,912FollowersFollow
3,572SubscribersSubscribe
spot_img

Latest posts