Friday, March 29, 2024
HomeUncategorized5 kanionet më të bukura në Tokë

5 kanionet më të bukura në Tokë

-

Të gdhendura prej miliona vjetësh nga elementët atmosferikë, kanionet janë padyshim një nga mrekullitë më fenomenale të natyrës. Me peizazhe ekstreme dhe pamje të jashtëzakonshme, kanionet gjithherë kanë mrekulluar njerëzimin. Më poshtë kemi renditur pesë kanionet më të bukura në Tokë.

Kanioni Antelope

Me vendndodhje në Navajo Land, në Arizona, Antelope është kanioni më i vizituar dhe më i fotografuar në SHBA. Emrin e ka marrë nga antilopat me brirë të dhëmbëzuara që dikur shiheshin shpesh në korridoret e kanionit. Dikur ka qenë gjithashtu një vend i shenjtë për popullin Navajo. Kanioni Antelope u hap për publikun në 1997-n, kur u bë Parku Kombëtar i Navajo-s.Ky gur i çmuar i Navajo-s është quajtur “sfida e mirëfilltë e fotografisë” dhe shumë fotografë nga e gjithë bota mblidhen këtu për të shkrepur fotot më të mira të mundshme. Kjo nuk është aspak e lehtë, pasi muret me ngjyrë të shndritshme reflektojnë dritën dhe krijojnë një gamë të gjerë ekspozimi.

Kanioni i lumit Blyde

Kanioni i dytë më i madh në Afrikë dhe një nga më të mëdhenjtë në botë, kanioni i lumit Blyde konsiderohet si një nga mrekullitë madhështore të Kontinentit të Zi. Tri strukturat qarkore me “çati” konike, Dritarja e Zotit dhe “Kulmi” janë pikat më të preferuara për pamje, por ka edhe të tjera që ofrojnë një pamje të gjatësisë së kanionit. Me vegjetacion të harlisur me një jetë të egër të shumëllojshme, kanioni i lumit Blyde është një nga destinacionet më popullore turistike në Afrikën e Jugut.

Kanioni Bryce

Kanioni Bryce nuk duket si një kanion tipik, por si një amfiteatër natyror i mbushur me kolona gurësh gëlqerorë të quajtura hoodoo. Megjithëse tani është një nga pikat më të famshme turistike në Utah, kanioni Bryce fitoi popullaritet në fillim të viteve 1900, kur peizazhi nisi të shfaqej në revista dhe gazeta. Por, për shkak të mungesës së akomodimit dhe vështirësisë për të mbërritur aty, njerëzit filluan ta vizitojnë këtë vend nga fillimi i viteve 1920. Sot, kanioni Bryce nuk është i famshëm vetëm për panoramën e mrekullueshme, por është një vend i mahnitshëm për të kundruar yjet gjatë natës. Në një natë me qiell të pastër, prej këtu mund të dallohen deri në 7,400 yje.

Wulingyuan

Me një shtrirje prej mbi 26,000 hektarësh, ky kanion ofron pamje të pabesueshme dhe është një nga vendet më të vizituara në Kinë. Me mbi 3,000 shtylla ranore që ngrihen drejt qiellit, shumë prej të cilave shkojnë deri në 200 metra, mbi 40 shpella dhe 2 ura natyrore, kanionet Wulingyuan janë një nga pamjet më unike në botë. Për bukurinë dhe numrin e madh të specieve të rrezikuara të bimëve dhe kafshëve që jetojnë këtu, UNESCO e ka shtuar këtë vend në Listën e Vendeve të Trashëgimisë Botërore.

Kanioni Grand

Kanioni më i madh dhe më i famshëm në Tokë pret miliona turistë çdo vit. Gdhendur nga lumi Kolorado që prej 6 milionë vjetësh, kanioni i madh është një nga Shtatë Mrekullitë e Botës. Kjo mrekulli gjeologjike dikur ka qenë një vend i shenjtë pelegrinazhi për popullin Pueblo dhe ende sot vizitohet nga e gjithë bota. Vizitorët e përshkruajnë si një vend të mrekullueshëm me peizazhe ekstreme, ku mund të shëtitet ose të bëhet rafting në ujë të rrëmbyer. Mbi 446 kilometra i gjatë, me një gjerësi që varion nga 6 deri në 29 kilometra dhe një thellësi prej 1,8 kilometrash, kanioni Grand meriton titullin “Kanioni më i bukur në Tokë”.

Related articles

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
3,912FollowersFollow
3,572SubscribersSubscribe
spot_img

Latest posts