Presidenti Meta pranë njerëzve në nevojë: Pa luftuar varfërinë nuk luftojmë dot një nga burimet kryesore të kriminalitetit dhe të sigurisë publike

0
1154

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vizitoi sot mjediset e Shoqatës Humanitare “Strehë dhe Shpresë” në Tiranë me rastin e 17 Tetorit, Ditës Ndërkombëtare kundër Varfërisë.

 

Presidenti Meta u njoh nga afër me kushtet që ofron si dhe me problematikat që ka kjo qendër, që prej 20 vitesh strehon dhe përkujdeset për rreth 30 të moshuar rezidentë, si edhe funksionon si qendër ditore për më shumë se 35 fëmijë jetimë e me probleme social-ekonomike të komuniteti rom, të cilëve u ofrohet një program mësimor-edukues si edhe ushqim falas.

FZH_1653

FZH_1636

FZH_1578
Gjatë vizitës në këtë qendër, Presidenti i Republikës u shpreh se sot është 17 Tetori, Dita Ndërkombëtare e luftës kundër Varfërisë, por njëkohësisht edhe e përpjekjeve për të rritur e garantuar dinjitetin njerëzor për të gjithë. “Lufta kundër varfërisë është një luftë edhe për të garantuar të drejtat dhe dinjitetin e çdo qytetari, të çdo të moshuari, por edhe të çdo fëmije. Pa luftuar varfërinë nuk garantojmë dot drejtësinë sociale që meriton një shoqëri e standardeve evropiane, pa luftuar varfërinë nuk luftojmë dot një nga burimet kryesore të kriminalitetit dhe të sigurisë publike, dhe për këtë armët më efikase për të luftuar varfërinë janë një rritje ekonomike më e madhe, por jo vetëm kaq.” – theksoi Presidenti.

Presidenti Meta nënvizoi faktin se një rritje ekonomike më gjithëpërfshirëse, nga e cila të përfitojë e gjithë shoqëria dhe në radhë të parë ata që janë më në vështirësi dhe më të pamundur kërkon zhvillimin e politikave sociale edhe më të vëmendshme dhe efikase në këtë drejtim, sidomos të punësimit dhe në drejtim sidomos të edukimit për fëmijët.

“Kjo është rruga më e mirë që këta fëmijë, të cilët kanë patur pengesa në aksesin ndaj arsimimit, strehimit, ndaj problemeve jetike dhe ekzistenciale, t’i fusim në rrugën e edukimit të suksesshëm, që do të thotë edhe të luftës së sigurt dhe të triumfit ndaj varfërisë dhe ndaj pabarazisë dhe papunësisë. Dhe është vërtetë një ditë reflektimi për të gjithë shoqërinë sot për të menduar se sa shumë raste ndeshim dhe hasim të vetëvrasjeve apo të përpjekjeve për t’u vetëvrarë nga dëshpërimi për shkak të humbjes së besimit se mund të fitohet lufta me varfërinë.” – tha Presidenti Meta.

Në fjalën e tij Presidenti i Republikës u shpreh gjithashtu se sot është dita të kujtojmë se sa familje kanë hyrë në krizë, se sa janë ndarë për shkak të varfërisë dhe të papunësisë apo problemeve të strehimit: “Sot është dita të kujtojmë se sa fëmijë kanë humbur mundësinë për të ndjekur shkollën, për t’u formuar të ditur, të aftë për të përballuar jetën me sukses në të ardhmen dhe të cilët kanë qenë të detyruar të shfrytëzohen për të mbijetuar në një mënyrë jonjerëzore dhe të padrejtë.”

“Ndaj, – nënvizoi Presidenti Meta, – është një ditë reflektimi dhe angazhimi në mënyrë që lufta kundër varfërisë të mos jetë një ditë në vit, por të jetë një angazhim i përhershëm i gjithë shoqërisë sonë.”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here