Gjoka: Njohja qe kisha per kampionet ne fuqi me ndihmoi te merrnim pike

0
1187

Ernest Gjoka, trajneri i Vllaznisë dhe ish-trajneri i Kukësit në fund të ndeshjes që u mbyll 2-2 ndërmjet dy skuadrave ka pranuar se njohja që kishte për kampionët në fuqi e ndihmoi që të dilte me pikë. Gjoka nuk pranoi të replikonte me presidentin Gjici i cili e shkarkoi teknikun nga detyra pas ndeshjeve në Kupat e Europës edhe pse ishte shpallur kampion.

 

 

Mosmbajtja e avantazhit

“Ashtu siç e kishim përgatitur ndeshjen, ashtu erdhi. E goditëm kundërshtarin në befasi dy herë, por nuk ishim në atë moment psikologjik për ta mbajtur presionin, luanim ndaj një Kukësi kampion, por duhet të rritemi dhe të kemi besim te vetja.”

Pse u shpërdorua avantazhi

“Sapo e thashë që duhet të ishim më shumë fanatikë të detyrës. Bëmë dy gabime që edhe bëhen dhe kundërshtari na barazoi. Është vetëm çështje psikologjike, nëse vrasim frikën do ecim akoma më shumë.”

Tërheqja në pjesën e dytë

“Sigurisht që pjesën e parë ishim shumë në ekuilibër dhe shënuam dy herë, por në pjesën e dytë nuk donim të tërhiqeshim, donim të bënim sërish të njëjtën gjë, por nuk arritëm të shënonim golin që do të mbyllte ndeshjen.”

Njohja e lojtarëve të Kukësit

“Nuk kishte si ndodhte ndryshe, 5-6 lojtarë i njoh deri në thellësi se i kam stërvitur vetë një vit të tërë. Ua kisha shpjeguar lojtareve futjen e Kale nga qendra dhe ky është i vetmi merak që më ka ngelur. Kale mund të shënonte nga pozicion tjetër por jo nga qendra sepse kishim punuar shumë për të ndaluar diçka të tillë.”

Gjici i vendosi notën 8

“Nuk kam dëshirë t’i kthej përgjigje Gjicit. Kemi bërë një vit të jashtëzakonshëm të dy, ai ka meritën kryesore sepse ka prodhuar dhe ndërtuar një skuadër shumë të mirë. Unë jam profesionist dhe duhet t’i lavdëroj dhe jo t’i ofendoj njerëzit.”

Barazimi, mesazh për tifozët shkodranë?

“E ndjej dhe e di çfarë do të thotë futbolli për tifozët shkodranë. Do japim maksimumin por na duhet patjetër tifozi, është oksigjen për ne dhe pa ata nuk mund të ecim dot.”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here