Ashpërsohet ligji, hiqet kujdestaria për dhunuesit në familje

0
1102

Personave të denoncuar për dhunë në familje do t’u hiqet e drejta e kujdestarisë mbi fëmijët. Situata alarmante e dhunës në familje, ku vetëm brenda 9 muajve të parë të këtij viti janë regjistruar mbi 3400 denoncime, ka bërë që Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të kërkojë ashpërsimin e ligjit për dhunën në familje. Ministrja Ogerta Manastirliu theksoi se për herë të parë, me urdhrin e mbrojtjes për nënën do të garantohen edhe fëmijët.

Manastirliu: Vetëm në 9 muajt e parë të vitit 2017 janë regjistruar mbi 3400 denoncime për dhunë në familje, nga të cilat 1940 kërkesa u regjistruan për urdhër mbrojtje. Për fat të keq, 11 persona, 8 prej të cilëve gra, bashkëshorte, nëna….humbën jetën. Për herë të parë, me urdhrin e mbrojtjes për nënën, automatikisht do të garantohet urdhri i mbrojtjes për fëmijët, edhe nëse mbi ta nuk është ushtruar dhunë e drejtpërdrejtë. Kujdestaria për fëmijët, edhe kur ata nuk kanë qenë objekt i drejtpërdrejtë i dhunës në familje, i kalon automatikisht viktimës të dhunës.

Bazuar në ndryshimet e reja ligjore, Gjykata do të duhet të vendosë brenda 15 ditëve nga regjistrimi i kërkesës për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes dhe nuk do kalohen më seancat e pajtimit mes palëve. Ministrja gjoba për punonjësit që zvarrisin dhënien e provave për urdhrat e mbrojtjes.

Manastirliu: Gjykata do të duhet të vendosë për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes brenda 15 ditëve nga regjistrimi i kërkesës dhe vendimi i gjykatës për nxjerrjen e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes do të jetë i formës së prerë dhe nuk do të mund të ankimohet. Do të kenë masa administrative deri dhe në gjoba për punonjësit që nuk kryejnë detyrën për pajisjen e viktimës me provat e nevojshme për marrjen e urdhrit të mbrojtjes.

Ministrja e Drejtësisë, Etlida Gjonaj, e pranishme në tryezën për konsultimin e ndryshimeve në ligjin për dhunën në familje, theksoi se rasti i gjyqtares Fildes Hafizi, nuk duhet të përsëritet më.

Gjonaj: Nuk duam kurrsesi që si rasti i gjyqtares Fildes Hafizi, që u vra pak muaj përpara nga bashkëshorti i saj të përsëritet. Kur një grua e cila i përket pushtet gjyqësor pëson këtë fat imagjinojmë shkurajimin që mund të kenë gratë e tjera.

Mes masave të reja për mbrojtjen e grave, propozohet që viktimat e dhunës në familje të kenë asistencë ligjore dhe avokat falas nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, ndërsa shpenzimet e ekspertëve që thirren nga gjykata (si psikologë, mjekë ligjore) të paguhen nga dhunuesi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here