Sa shpenzojnë shqiptarët për arsimin nga buxheti i tyre, 68% shkojnë për mastera

0
993

Pesha e shpenzimeve për arsimin ne buxhetin e familjeve shqiptare ka ardhur në rritje vitet e fundit, kryesisht për shkak të rritjes së tarifave në arsimin e lartë publik.

Për rrjedhojë në shpenzimet mujore të një familje 4.4 % shkojnë për arsim. Ky është niveli më i lartë në Europë në raport me shpenzimet e tjera. Por sipas INSTAT brenda shpenzimeve për arsimin më shumë se 68 për qind shkojnë për mastera.

INSTAT referon se, gati dy të tretat e shpenzimeve për arsimin shkojnë për masterat e nivelit të parë dhe të dytë në arsimin publik dhe në atë privat.

Në vitin 2014-2015 qeveria shqiptare me një vendim të posaçëm rriti tarifat në studimet master me rreth 20 për qind në të gjitha universitet publike. Kjo rritje preku ndjeshëm shpenzimet për arsim të familjeve për shkak se, 90 për qind e studentëve frekuentojnë universitet publike.

Në vitin shkollor 2016-2017 ndoqën studimet e larta 139,607 të rinj nga të cilët rreth 115 mijë zgjodhën universitetet publike.

Sipas të dhënave zyrtare nga Universiteti i Tiranës për një master profesional tarifa shkon në mbi 90 mijë lekë ndërsa për një master shkencor mbi 105 mijë lekë.

Shpenzimet për arsim, të cilat zënë 4,4 % të buxhetit të familjeve gjithsej kanë pësuar rritje prej 2,3 pikë përqindje krahasuar me 2015. Pesha e shpenzimeve për arsimin shënoi rekord më 2016 ne krahasim me 1.7% që ishte një dekadë më parë.

INSTAT klasifikoi si shpenzime për arsim pagesat që familjet bëjnë gjatë një muaji arsimin parashkollor dhe fillor, arsimin 8/9 vjeçar dhe të mesëm, arsimin parauniversitar, arsimin e lartë dhe kurset.

Të dhënat krahasuese nga anketat e buxhetit të familjeve të vendeve të rajonit dhe Eurostat, të përpunuara nga Monitor, tregojnë se familjet shqiptare kanë peshën më të lartë të shpenzimeve për arsim nga vendet e rajonit dhe ato të Bashkimit Europian. Mesatarja e Bashkimit Europian është 2.1%, ndërsa një familjeje në rajon i kushton shumë më pak (në termin relativ ndaj shpenzimeve totale) që të shkollojë fëmijën. Serbia, Maqedonia, Bosnjë Hercegovina e kanë këtë raport midis 0.6-0.7%, ndërsa në Kroaci arrin në 1.1%. Instituti i Statistikave të Kosovës raporton në anketën e fundit të buxhetit të familjeve për vitin 2016, se pesha e shpenzimeve për arsim në totalin e buxhetit është zero.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here