OSHEE i dergon ne Rome per kurim me te specializuar
Dy elektricistët që u dogjën pak ditë më parë në Shkodër teksa riparonin një defekt në nënstacionin “Shkodra 1” do të dërgohen për kurim më të specializuar në Itali. Operatori i shperndarjes së energjisë elektrike ka marrë përsipër dërgimin për ndërhyrje të specializuar jashtë vendit për 46 vjeçarin Afrim Halluni me funksion elektricist i linjave të tensionit të lartë dhe 30 vjeçarin Erion Hafizi me funksion operator në nënstacionin Shkodra 1. Me anë të një njoftimi, kompania thotë se do të mbulojë financiarisht dërgimin ditën e hënë të dy të lënduarve me avion special mjekësor drejt spitalit “Sant Eugenio” të Romës dhe kurimin për djegiet që kanë pësuar. Nga shpërthimi i ndodhur mbeten të plagosur 3 elektriçistë, por për fat të mirë Anton Berisha kishte lendime më të lehta dhe u kurua në spitalin rajonal të Shkodres, pa patur nevojë për ndërhyrje më të specializuar. Deklaratën OSHEE e mbyll me një falënderim për të gjithë punonjësit e saj që me sakrificë dhe në kushte të vështira atmosferike punojnë natë e ditë për garantimin e një furnizimi të qëndrueshëm me energji elektrike të popullatës.