Familja Shestani për “Guinness”, plot 58 tituj kampionë me Vllaznine…

0
1852

Nëse ka familje që ka dhënë shumë për sportin në Shqipëri, sigurisht që është ajo familja Shestani. Plot 6 pjestarë të saj kanë kontribuar për mbi 50 vite për Vllazninë, duke i dhuruar asaj shumë tituj kampion, kupa e rekorde në not. Kontributi i kësaj familje, nga viti 1950 dhe deri më 1991, është shumë i madh, duke i dhuruar klubit Vllaznia plot 58 tituj kampionë, pa llogaritur këtu edhe shumë rekorde e medalje të tjera. Po kush janë pjestarët e kësaj familje? Po i rendisim një e nga një…

ANJEZA SHESTANI – Ajo është marrë me not në vitet 1950 deri më 1957. Garat e saj kanë qenë 100 dhe 200 m bretkosë. Gjatë këtyre viteve ajo është shpallur 4 herë kampione kombëtare, duke vendosur edhe 4 rekorde të reja kombëtare për të reja dhe për të rritura. E ka mbyllur karrierën e saj sportive duke qenë sërish në vende nderi.

Në vitin 2001 është nderuar nga Federata Shqiptare e Notit me diplomën “Nderi i notit shqiptar”. Po këtë vit, Komisioni Kombëtar i Sportit të nivelit të lartë dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e ka dekorduar me medalje të argjendtë.

MARK SHESTANI – Notin e ka filluar në vitin 1954 dhe është marrë me këtë sport deri në vitin 1968. Gjatë këtyre viteve ka thyer disa rekorde dhe ka dalë disa herë kampion i vendit. Në vitin 1957, ka thyer rekorde me të rinj dhe me të rritur. Gjatë karrierës së tij është shpallur 12 herë kampion i vendit dhe ka vendosur 30 rekorde kombëtare.

Garat e tij 100 dhe 200 m delfin, si dhe gara 4×100 m individuale e përzier, kanë qenë të preferuarat e tij. 5 herë është vlerësuar në “10 sportistët më të mirë të vitit” të qytetit të Shkodrës. Ka qenë pjesëtar edhe i ekipit të vaterpolit të Vllaznisë, duke dalë 5 vjet kampion i vendit si ekip. Ka marrë pjesë disa herë edhe në gara kanotazhi. Në vitin 1969 ka punuar si trajner me ekipin e paratërejave të Vllaznisë e më pas me të rejat për plot 12 vjet, duke zënë shumë vende nderi me ta.

Nga viti 1980, deri më 1994, ka qenë gjyqtar i kategorisë së parë, madje në disa gara edhe si kryegjyqtar. Mban titullin “Mjeshtër Sporti”. Për merita të larta në këtë sport, është dekoruar me medaljen “Naim Frashëri” në vitin 1974, ndërsa në vitin 2001 u vlerëua me diplomën “Nderi i norit shqiptar”, si dhe me medaljen e argjendtë për merita në fushën e sportit.

TEF SHESTANI – Me not është marrë në vitet 1955-1966. Gjatë këtyre viteve ka thyer 8 rekorde kombëtare dhe ka dalë 7 vite radhazi kampion, pas vitit 1958, kur dhe fillon kulmi i karrierës së tij. Garat e preferuara kanë qenë ato 100 dhe 200 me shpinë.

Ka marrë pjesë edhe në stafetë 4 x100 me ekipin e Vllaznisë, ku ka dalë kampion për disa vite. Është marrë edhe me vaterpol, kanotazh dhe gjyqtar noti. Në disa raste, stafetën e përzier 4 x100 m të përzier, Vllaznia është përfaqësuar me katër vëllezërit Shestani, ku kanë arritur të zënë disa vende nderi.

ZEF SHESTANI – Ai është marrë me not në vitet 1958-1965 me ekipin e të rinjve dhe të rriturve. Ka dalë 6 vjet kampion dhe rekordmen për të rritur dhe të rinj. Ka arritur normën e “Mjeshtrit të Sportit”. Stili i tij i preferuar ka qenë ai i 400, 800 dhe 1500 m. Mbetet një emër i nderuar i këtij sporti.

RROK SHESTANI – Notin e ka filluar në vitin 1965 dhe e ka vazhduar deri më 1980. Ka marrë pjesë shumë i vogël në këto aktivitete. Konsiderohet një nga notarët më të mirë të historisë së këtij sporti në Shqipëri. Klubi Vllaznia e ka përzgjedhur si “notarin e shekullit”. Gjatë viteve të karrierës së tij, ka dalë me të rinjtë dhe me të rriturit 13 vjet kampion, si dhe ka thyer mbi 80 rekorde kombëtare. Suksese ka patur edhe në aktivitetet ndërkombëtare, sepse në vitet 1972- 75 ka qenë anëtar i ekipit kombëtar. Ka marrë pjesë në Lojërat Aziatike, ku morën pjesë 23 shtete dhe Rroku hyri në finale dhe doli i gjashti.

MOIS SHESTANI – Me not është marrë në vitet 1977- 1991. Gjatë këtyre viteve ka dalë disa herë kampion dhe ka thyer disa rekorde. Sukseset e tij më të mëdha i ka patur pas vitit 1981. Ka qenë edhe anëtar i ekipit kombëtar, duke marrë pjesë në disa aktivitete ndërkombëtare. Ka marrë dy medalje ari në Spartakiadën e 6-të Kombëtare në vitin 1989 me ekipin e Partizanit. Ka dalë 11 vjet rresht kampion si individ.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here