Ernest Gjoka: Vllaznia do të bëhet, duhet merkato dhe durim

0
2801

Trajneri i Vllaznisë rrëfen eksperiencën shkodrane, vështirësitë në këto dy muaj punë dhe planet e së ardhmes, duke nisur nga merkatoja e janarit, ku pritet ndryshim total.

Ernest Gjoka është një trajner që nuk u druhet sfidave dhe nuk e ka problem të kalojë nga titulli kampion te lufta për mbijetesë në Shkodër. Një sfidë e vështirë, ndoshta edhe më e vështirë sesa e kishte parashikuar vetë trajneri tiranas, i cili tashmë ka evidentuar gjithë problemet që duhet të zgjidhë dhe e pranon se kohën e ka kundër. Kampionati këtë sezon është shumë i vështirë dhe Vllaznia nuk e ka të lehtë të luftojë për mbijetesë, aq sa askujt në Shkodër nuk i shkon realisht mendja te rënia nga kategoria, edhe pse para pak muajsh pikërisht Vllaznia kaloi një finale mbijetese me Tiranën, që u zhyt një kategori më poshtë. Misioni i Gjokës është që të evitojë finale të tilla dhe janari është vendimtar, sepse është një skuadër që duhet riformatuar, pa parë në sy askënd, pa hatërmbetje e pa dallime në shkodran apo jabanxhi, shqiptar apo i huaj. Është koha për të evituar katastrofën, në radhë të parë…
– Gjoka, bilanci i dy muajve të parë në Shkodër nuk është aq i mirë, duke parë rezultatet dhe renditjen. E prisje kaq të ndërlikuar?
– Të them të drejtën, jo. Nuk isha në brendësi të problemeve të skuadrës dhe të presionit të frikshëm që ekziston në ambient, aq sa skuadra nuk arrin të japë qetësisht maksimumin e vet. Tani gjërat janë më të qarta dhe praktikisht e di çfarë duhet bërë. Kemi marrë një përgjegjësi të madhe mbi vete, është një barrë e rëndë, kryebashkiakja Ademi na ka dhënë garanci se do të kemi mbështetje të plotë për gjithçka.
– Përmendët presionin në ambient. Kaq problem është te Vllaznia?
– Është çështje mentaliteti. Tifozët vijnë në stadium vetëm nëse skuadra lufton për kreun, edhe media sheh shpesh aspektet negative, ndërkohë që nuk mungojnë polemikat. Vllaznia nuk ka kohë për polemika, Vllaznia nuk ka kohë që të mendojë për të replikuar me çdo kritikë e çdo akuzë. Është një moment delikat, ku duhet unitet dhe shumë punë e qetësi, për të arritur synimin madhor të sezonit, ndërsa më pas mund të flasim sa të duam.
– Më e vështirë te Vllaznia, apo te Kukësi?
– Te Kukësi ishte presioni i rezultateve, por gjithçka tjetër funksiononte. Te Vllaznia është e kundërta, presioni është nga jashtë, ndërsa brenda klubit ka shumë qetësi, ndoshta më shumë nga sa duhet. Mungesa e presionit nga klubi jo gjithnjë është gjë e mirë, ndaj e kam thënë edhe më parë që duhet një dorë e fortë që të organizojë punët.
– Cili është plani për janarin, pasi po flitet shumë për ndryshime?
– Po, skuadra do të ndërtohet thuajse nga fillimi, sepse edhe ndërtimi i saj ka qenë problematik, e kam thënë edhe më parë që në skuadër ka mangësi në disa reparte e tepricë lojtarësh në disa reparte.
– Shkodra prodhon gjithnjë talente, por a mund të bëhet Shkodra vetëm me shkodranë?
– Për mendimin tim, jo. Të mundohesh të ndërtosh një ekip vetëm me shkodranë është e pamundur, sepse jo të gjithë shkodranët luajnë te Vllaznia dhe jo të gjithë lojtarët e talentuar mund të mbajnë peshën e një sezoni ku luftohet çdo javë për mbijetesë. E keqja e Superiores kjo është, që presioni është tepër i madh dhe rezultati është prioritar, nuk të pret dot askush.
– Mbrojtja është problem madhor.
– Mbrojtja është një repart që duhet bërë nga e para, aty është urgjenca më e madhe. Problemi i fundit madhor është dëmtimi i Gocajt, i cili do të mungojë për shumë javë pasi duhet të operohet. Kjo do të thotë që na duhen lojtarë në çdo pozicion në mbrojtje. Jemi pa lojtarë, na duhen urgjentisht afrime, sidomos në qendër të mbrojtjes, ku po kërkojmë dy futbollistë cilësorë e me eksperiencë.
– Orelesi, do të qëndrojë në mbrojtje?
– Jo, plani është që të kthehet në rolin e tij natyral, në mesfushë. Për mua Orelesi nuk e ka vendin në mbrojtje, ai është një mesfushor me aftësi të shkëlqyera dhe është gabim që të luajë në mbrojtje. Largimi i Edon Hasanit do të kompensohet disi me avancimin e tij, ndërkohë që kemi edhe lojtarë të tjerë në mesfushë dhe mund të ndërhyjmë edhe në merkato.
– Është folur për një frikë nga largimi i Orelesit.
– Klubi ka qenë shumë korrekt me të, jo vetëm që i ka marrë gjithë pagat, por ka marrë edhe gjysmë page parapagim, ndaj unë e pres në Shkodër.
– Çështja Hasani u mbyll qetësisht.
– Po, Edoni është larguar me mirëkuptimin e klubit, që nuk deshi ta pengonte, aq më shumë që Hasani ishte i gatshëm të paguante edhe dëmshpërblim për t’u larguar. Të paktën nga ana ekonomike paratë që do të merren e do të hidhen në merkato për një lojtar tjetër më cilësor. Ndoshta tani më duhet të kërkoj edhe ndonjë lojtar tjetër në mesfushë, pasi Hasani ishte titullar. Është e vërtetë që kemi emra në mesfushë, por kemi mbivendosje lojtarësh në disa role dhe nuk është e thënë që të mos lëvizim as në mesfushë.
– Sulmi, gjithçka zgjidhet me Sukajn?
– Në fakt, jo. Sukaj na ka dhënë fjalën se do të jetë i Vllaznisë dhe do të bashkohet me ne në janar, duke qenë se është një futbollist i lirë prej janarit. Ndërkohë, presim edhe një sulmues tjetër nga jashtë, emrin e të cilin nuk do ta komunikojmë derisa të bindemi se është lojtar që vlen për Vllazninë.
– A del një muaj kohë për të ribërë Vllazninë?
– E vështirë, shumë. Tregu vendas nuk është se ka lojtarë me shumicë, ata që janë cilësorë nuk i lëshon asnjë klub, dihet. Duhet të afrojmë lojtarë nga jashtë dhe koha nuk është e mjaftueshme. Për të gjetur një lojtar të mirë nuk mjaftojnë pak minuta studim, duhen parë shumë video, duhen studiuar karakteristikat e tij dhe duhet që lojtari të jetë mirë fizikisht. Në fund, duhet edhe fat, sepse jo gjithnjë në treg gjen lojtarët e duhur, edhe pse mund të jenë shumë cilësorë.
– Privatizimi i përfolur, sa ndikon te ecuria e skuadrës?
– Më shqetëson shumë, mua dhe skuadrën, nuk mohohet, sepse duhet qartësi, duhet një e ardhme e sigurt dhe kemi patjetër nevojë për një president. Jo se Bashkia nuk po ndihmon, ajo po bën gjithçka, por duhet një dorë e fortë,m një person që t’i qëndrojë skuadrës pranë në çdo moment dhe Bashkia nuk ka vetëm futbollin për t’u marrë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here