Donald Lu: Ka ende kriminelë në pozicione të zgjedhura

0
3344

Në intervistën për “Revistën Mapo” që shoqëron shpalljen e Donald Lu  “Njeriu i Vitit”, ambasadori përcjell mesazhe të forta mbi çështjet që shënjojnë mandatin e tij në Shqipëri, si: debati për largimin e Adriatik Llallës, raportet e tensionuara me opozitën, qëndrimet për qeverinë apo çështjen “Tahiri”. Ai mbetet optimist për zbatimin e plotë të reformës në gjyqësor, por edhe paralajmëron shqiptarët , se “politikanët në përgjithësi nuk e duan këtë reformë”

Z.Ambasador, Reforma në Drejtësi ka qenë produkti kryesor i misionit tuaj në Shqipëri por ditët e fundit, ky proces është vënë përsëri në dyshim të fortë. Madje zyrtarë të lartë të opozitës e cilësojnë atë të vdekur, ndërsa publiku ndjen rrezikun e sabotimit të saj nga politika. A jeni ende aq optimist sa më 23 korrik apo e ndani edhe ju perceptimin se asnjëra forcë politike në Shqipëri nuk është e interesuar për zbatimin e saj?

Jam edhe optimist që Shqipëria do ta zbatojë plotësisht reformën e gjyqësorit, edhe ndaj pikëpamjen se politikanët në përgjithësi nuk e duan këtë reformë. Por populli shqiptar e kërkon këtë reformë. Kemi kapërcyer një pikë të fortë kthese me largimin e Prokurorit të Përgjithshëm të vjetër, fillimin e vettingut dhe krijimin së afërmi të KLP, SPAK dhe BKH.

Deklarata e Ambasadës së SHBA pas zgjedhjes së Kryeprokurores së re Arta Marku dënonte dhunën. Cili është komenti juaj për kritikat e opozitës që replikoi se e vetmja dhunë ishte dhunimi i Kushtetutës?

Ambasada e Shteteve të Bashkuara dënonte fort dhunën të hënën. Jemi të kënaqur që nuk u lënduan edhe më shumë njerëz, por një numër oficerësh policie, anëtarë të parlamentit dhe protestues u lënduan. Ishte dhunë. Po ashtu, dënuam përdorimin e turpshëm dhe të paprecedent të tymueseve në parlament.

Si do t’i karakterizonit marrëdhëniet tuaja me partitë politike të opozitës?

Demokracia ka nevojë për një opozitë të fortë dhe të bashkuar. Kam punuar fort për të mbajtur komunikim si me qeverinë, ashtu edhe me opozitën – edhe kur më kanë sulmuar mua, Shtetet e Bashkuara dhe reformat kryesore. Është detyra ime. Do të vazhdojmë të punojmë për marrëdhënie të mira me opozitën dhe qeverinë.

Kanë kaluar vetëm katër muaj nga qeveria “Rama 2,” por ngjan sikur është në fund të mandatit për nga konsumimi. Çështje të tilla si implikimi i ish-ministrit të Brendshëm me grupin Habilaj, ngjarja e Elbasanit apo përhapja eksponenciale e panjohur më parë e kultivimit të kanabisit gjatë 2016 e kanë vënë fort në dyshim legjitimitetin e saj. Në gjykimin tuaj, sa serioze janë akuzat për implikim të qeverisë me krimin e organizuar? A ka qenë ambasadori Lu më i butë se ç’do duhej me mazhorancën?

Edi Rama ankohet fort se sa i padrejtë kam qenë ndaj tij dhe socialistëve, por e bën këtë privatisht. Opozitës i pëlqen të tregojë publikisht se disa herë janë të pakënaqur me pozicionet e Qeverisë së SHBA. Është e drejta e tyre. Akuzat specifike kundër Saimir Tahirit janë shumë serioze dhe meritojnë një hetim tërësor dhe, nëse provohen, ndjekje penale të shpejtë. Kemi nxitur Prokuroren e Përgjithshme të përkohshme dhe kreun e Prokurorisë së Krimeve të Rënda që ta çojnë këtë çështje përpara pa anshmëri politike apo si përgjigje të presionit politik.

Qëndrimet tuaja të forta për lidhjet e politikanëve me krimin, për nevojën për dekriminalizimin apo për familjet e krimit të organizuar në Shqipëri e kanë bërë këtë një çështje të rëndësishme diskutimi në vend. Por përtej deklaratave, a shihni vullnet apo aksione konkrete për prerjen e këtyre fijeve?

Shqiptarët duhet të jenë të lumtur që numri i kriminelëve sot në parlament dhe në zyrat bashkiake është mjaft më i ulët se sa në vitin 2013 apo 2015. Por për fat të keq, kriminelë të dënuar vazhdojnë ende në pozicione të zgjedhura në Shqipëri. I bëjmë thirrje KQZ-së, zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm dhe Komisionit të Kuvendit për Mandatet që të zbatojnë plotësisht Ligjin për Dekriminalizimin. Kriminelët nuk kanë vend në përfaqësimin e popullit shqiptar.

Për shqiptarët, ju jeni një aktor shumë i rëndësishëm i vendimmarrjes, ndoshta shumë herë më i rëndësishëm se sa një ambasador do të ndihej në çdo vend tjetër të krahasueshëm. Por si është Shqipëria dhe shqiptarët në optikën e Z. Lu? Cilat janë ndryshimet thelbësore që duhen bërë për një progres real të vendit?

Familja ime dhe unë nuk kemi vizituar kurrë një vend më të bukur dhe më miqësor se ky. Populli shqiptar është i famshëm kudo në botë për mikpritjen. Presim me kënaqësi të kthehemi në Shqipëri pas 10 vjetësh kur të gjithë qytetarët të jenë qytetarë me të drejta të plota të Bashkimit Europian, të aftë të punojnë, jetojnë dhe studiojnë kudo në BE. Për ta bërë këtë, Shqipëria duhet të punojë me BE-në për reformat kyçe që kërkohen për anëtarësim. Për ta bërë këtë, do të keni mbështetjen tonë të plotë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here