Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati ndodhet në Danimarkë në një vizitë zyrtare, gjatë së cilës zhvilloi një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Danimarkës Anders Samuelsen. Ministrat Bushati dhe Samuelsen diskutuan mbi procesin e integrimit evropian, dinamikën e marrëdhënieve dypalëshe, bashkëpunimin rajonal dhe çështje të sigurisë evropiane e më gjerë.
Ministri Bushati i shprehu mirënjohjen kolegut Samuelsen për mbështetjen ndër vite të Danimarkës për proceset transformuese demokratike në vendin tonë dhe në procesin e integrimit evropian.
Duke u ndalur tek integrimi evropian, ministrat ndanë mendimin për impaktin transformues që ka politika e zgjerimit në vendet e rajonit të Ballkanit. Ministri Bushati e njohu kolegun e tij me procesin e reformave ne Shqipëri, me fokus reformën në drejtësi dhe progresin e bërë në plotësimin e pesë prioriteteve.
Ministri Samuelsen, duke konfirmuar mbështetjen e Danimarkës për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe duke vlerësuar punën e bërë, u shpreh se Komisioni Evropian është institucioni më i mirë për të vlerësuar progresin dhe se Danimarka do të mbështesë rekomandimin e Komisionit Evropian në raportin e tij për Shqipërinë në muajin prill.
Ministri Samuelson shprehu vlerësim për bashkëngjitjen e plotë të Shqipërisë me vendimet e BE-së në politikën e jashtme dhe të sigurisë.
Ministrat diskutuan mbi situatën në rajon. Ministri Samuelsen vlerësoi rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si faktor i qëndrueshëm stabiliteti dhe bashkëpunimi rajonal. Në këtë kontekst, ministrat nënvizuan rëndësinë e forcimit të perspektivës evropiane të rajonit të Ballkanit, përmes një vizioni të qartë dhe gjithpërfshirës në Strategjinë e Zgjerimit që pritet të miratohet së shpejti.
Gjatë takimit, ministrat shkëmbyen mendime per çështjet e sigurisë globale me të cilat po përballet Evropa dhe bota. Ministrat Bushati dhe Samuelsen vlerësuan bashkëpunimin dhe rolin e vendeve te tyre, edhe si vende anëtare të NATO-s, në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, IS, dhe rolin e aktorëve të tretë në krizat rajonale.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme zhvilloi dhe një takim me Nën-Sekretarin e Përhershëm në Kryeministri, z. Michael Starbæk Christensen, gjatë të cilit u diskutuan çështje të bashkëpunimit dypalësh dhe integrimit evropian.
Ministri Bushati zhvilloi gjithashtu një takim me përfaqësues të Komitetit për Çështjet Evropiane dhe të Politikës së Jashtme në Parlamentin e Danimarkës. Gjatë takimit u shkëmbyen mendime në lidhje me perspektiven evropiane të Shqipërisë.