Vdekja e djalit të Tinka Kurtit, mesazhi prekës i deputetes: Momenti kur çdo shqiptar duhet t’i kthejë aktores atë që ajo ka dhënë

0
1243

Deputetja e PD, Grida Duma ka reaguar përmes një statusi në Facebook për vdekjen e djalit të vetëm të aktores Tinka Kurti në Kanada për shkaqe natyrale. Grida Duma aktorja epike e roleve të nënës, na ka dhënë të gjithëve një pjesë të botës tonë të shpirtit.

“Është momenti kur çdo shqiptar duhet t’i kthejë Tinkës atë që ajo i ka dhënë, duke ndaluar një çast, duke u lutur a menduar secili në mënyrën e vet që kjo grua, sot e përkulur nga dhimbja, të përballojë humbjen më të madhe në këtë jetë”- thotë ndër të tjera Grida Duma.

Statusi i plotë:

“Yjet e netëve të gjata” është filmi prej të cilit shumë prej nesh kujton Nënë Pashakon. Për këdo që është rritur me kinematografinë shqiptare, filmi i pashlyeshëm për madhësinë e dhimbjes së një nëne e cila mohon të birin e vdekur për të mbrojtur idealen e një kombi, shfaqet me pamjen e të madhes Tinka Kurti.
Shkruhet që fati i njerëzve si Kurti shkrihet me veprën e tyre.
Kur rikthehesh në rolet e Tinkës e të duket se jo rrallë ajo ka vënë në skenë fatin e jetës së saj. Tek mjeshtrat ndodh që fati i jetës reale herë i pararend në vepër, e herë ua ndjek veprën nga pas.
Kur ajo shfaqej, në kinema apo teatër, roli bëhej qendror sic ndodh me cdo aktor të madh që s’ka dritëhije kohe, veç pauzë madhështie për këdo që e sheh.
Pak kohë më parë takova Tinkën bashkë me Margarita Xhepën, shkëmbyem më shumë se fjalë, nënkuptime të brendshme për thuajse gjithçka. Mendova më pas për një tjetër bekim të tyre, që këto dy gra të mëdha, aktore të mëdha, kishin një miqësi të madhe dhe ndanin me njera-tjetrën problemet e veta.
Jam e bindur që miqtë e shumtë të Tinka Kurtit janë pranë saj në këto momente humbjeje të madhe.
Nuk di sa mundet një nënë, sa mundet edhe një grua e madhe si Tinka, të gjejë ndonjë shkëndijë dritë në këto momente terri. Asnjë nënë nuk pranon të ikë para fëmijës nga kjo jetë. Asnjë nënë, e jo më një grua që ka dhënë ndjenja sa për një komb.
Dyzet e shtatë vite e ndoshta të gjitha vitet më pas, miliona shqiptarë kanë ndjerë madhështinë e dhimbjes së “nënë Pashakos” ndërsa përhumbej duke shikuar yjet në errësirën e netëve pasi i biri i personazhit dergjej i vrarë. Në ato kohëra regjia s’mund të lejonte të imagjinohej a lutej drejt qiellit një Nënë Pashako.
Tinka Kurti ka humbur djalin e vetëm.
Kjo grua e madhe, kjo aktore epike e roleve të nënës, na ka dhënë të gjithëve një pjesë të botës tonë të shpirtit. Është momenti kur çdo shqiptar duhet t’i kthejë Tinkës atë që ajo i ka dhënë, duke ndaluar një çast, duke u lutur a menduar secili në mënyrën e vet që kjo grua, sot e përkulur nga dhimbja, të përballojë humbjen më të madhe në këtë jetë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here