Situata gripale në vend ka bërë të numri i pacientëve që i drejtohen qendrave shëndetësore dhe spitalore të vijë në rritje. Aktualisht në vendin tonë qarkullojnë dy viruse B dhe AH1N1. Shefi i Departamentit të Sëmundjeve Infektive në QSUT, Arjan Harxhi thotë se vendi ynë është në një situatë gripale, ndërsa shton se grupmoshat më të rrezikuara janë fëmijët nën 5 vjeç, të moshuarit dhe gratë shtatzëna.

Duke u ndalur tek simptomat kryesore të gripit, ai tha se fillimisht vihet re shfaqja e temperaturës, dhimbje e muskujve e kokës, syve, fytit, mund të paraqiten të vjella, diarre, kollë. Sipas mjekut, shfaqja e simptomave si nxirrja e buzëve, të vjella të mëdha, apo temperatura të larta, kërkojnë ndërhyrjen e mjekut.