Moti i ftohtë me reshje dëbore do të shoqërojë gjithë vendin edhe ditën e nesërme. Gjatë mbrëmjes së sotme do të ketë ulje të mëtejshme të temperaturave, duke arritur deri në minus 13 gradë celsius në zonat malore.
Ndërkohë, pas rrezikut nga dëbora, IGJEM bën me dije se do të rikthehet rreziku i përmbytjeve. Nga data 2 mars dhe ditët në vazhdim tendenca e prurjeve do të jetë drejt rritjes. Kjo për shkak të kombinimit të shkrirjes së dëborës pasojë e rritjes së temperaturave dhe reshjeve të pritshme
RESHJET
Sot pasdite (e mërkurë, dt.28) dhe nesër (e enjte, dt.01) priten reshje të dobëta, ndërsa në Korçë dhe Elbasan lokalisht mesatare (siç tregohet në tabelë, respektivisht për secilin qark).
Pritet prania e reshjeve në formë dëbore, kryesisht në zonat malore, por edhe në ultësirat fushore deri në afërsi të bregdetit për ditën e sotme, ndërsa nesër ky kufi do të jetë në 300 m mbi nivelin e detit. Reshjet e dëborës mund të sjellin problematika të ndryshme në transportin rrugor dhe ngrica si pasojë e uljes së ndjeshme të temperaturave, sidomos gjatë natës.
Shënim: në rastin e reshjeve të dëborës, 1 mm reshje = 1 cm dëborë e re.
TEMPERATURAT
Nesër (e enjte, dt.01) temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:
në bregdet: 0 / 12 °C
në vendet e ulëta: -2 / 9 °C
në vendet malore: – 13 / 3 °C
ERA
Sot pasdite (e mërkurë, dt.28) era pritet të fryjë e lehtë deri mesatare, ndërsa në bregdet deri e fortë. Nesër (e enjte, dt.01) era pritet të fryjë e lehtë paradite, por pasdite bëhet mesatare, deri e fortë në bregdet.
RREZIKU NGA PËRMBYTJET
Nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM-it, rezulton se lumenjtë në të gjithë territorin do të kenë prurje të qëndrueshme sot (e mërkurë, dt.28 shkurt) dhe nesër (e enjte, dt.01 mars). Nga data 2 Mars dhe ditët në vazhdim tendenca e prurjeve do të jetë drejt rritjes. Kjo për shkak të kombinimit të shkrirjes së dëborës pasojë e rritjes së temperaturave dhe reshjeve të pritshme. IGJEUM është duke vazhduar llogaritjet hidrologjike për vlerësimin e rrezikut nga përmbytjet.