Zhvarrimi në SHBA, Mid’hat Frashëri do të prehet në Shqipëri

0
687

Eshtrat e një prej personaliteteve më të shquara kombëtare, Mid’hat Frashëri do të prehen brenda pak muajsh në Shqipëri. Në mbledhjen e sotme të qeverisë është vendosur që eshtrat e personalitetit të shquar të letrave shqiptare të zhvarrosen në Shtetet e Bashkuara dhe të kthehen në atdhe.

Ai vdiq nga një sulm në zemër në Lexington Hotel në Lexington Avenue në Nju Jork dhe është varrosur në Varrezat Ferncliff në Nju Jork në vitin 1949.

Sipas vendimit, ceremonia shtetërore e kthimit në atdhe të eshtrave do të organizohet gjatë javës përkujtimore të 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit, 14-22 nëntor 2018, “e cila përkon me një nga kremtimet madhore të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut”.

Do të jetë Ministria e Jashtme, nëpërmjet misionit të saj diplomatik të Shqipërisë në SHBA, që do të organizojë procedurat e nevojshme ndërshtetërore për të sjellë në atdhe eshtrat e tij.

“Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, në buxhetin e miratuar për vitin 2018, në programin 01120 ‘Mbështetje diplomatike jashtë shtetit’, t’i shtohet fondi prej 3 239 400 (tre milionë e dyqind e tridhjetë e nëntë mijë e katërqind) lekësh, për organizimin e procedurave të nevojshme ndërshtetërore për të sjellë në atdhe eshtrat e personalitetit të shquar të letrave shqipe dhe të kulturës mbarëkombëtare Mid’hat Frashëri, me qëllim zhvillimin e ceremonisë shtetërore gjatë periudhës 14-22 nëntor 2018.

Fondi prej 3 239 400 (tre milionë e dyqind e tridhjetë e nëntë mijë e katërqind)) lekësh të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit”, thuhet në vendim.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here