Atletika shqiptare shkëlqen në Beograd. Pas 6 medaljeve të fituara dy javë më parë në Turqi, tashmë vijnë edhe dy medalje të tjera të fituara në Mitingun Ndërkombëtar të sallave të mbyllura të mbajtura në kryeqytetin serb. Ashtu si edhe në Turqi, protogonistë të këtij suksesi janë dy shkodranët e talentuar, Izmir Smajlaj dhe Franko Burraj, të cilët duke konkuruar në garat e tyre të preferuara, kërcim së gjati dhe vrapim 400 metra merituan dy medalje të arta. Për kampionin e Europës Izmir Smajlaj, titull që ka arritur ta fitojë po në Beograd, rezultati i regjistruar në këtë garë ishte 7 metra dhe 94 centimetra. Referuar garës në fjalë, Smajlaj ka arritur të bëjë gjashtë kërcime dhe që të gjitha të rregullta pa faull, çka është një risi për të, por edhe për kërcyes të tjerë. Ajo që e bën edhe më cilësore garen e tij ka të bëjë edhe me atë që kërcimet kanë ardhur duke u rritur në distance nga njëri kërcim në tjetrit. Kështu ai e ka filluar me 7.85, ka vijuar me 7.86, më pas 7.88, 7.90 metra, dhe në fund 7 metra dhe 94 centimetra që është cilësuar rekord i aktivitetit në fjalë. Një paraqitje kjo mjaft e mirë e shkodranit Izmir Smajlaj forma e mirë sportive aktuale e të cilit tregohet qartë edhe për atë që kjo medalje e fituar të enjeten në Beograd ishte e katërta e artë për vitin 2020. Ndërkohë, po kaq I suksesshëm është shfaqur në këtë aktivitet edhe atleti tjetër shkodran Franko Burraj. Vrapimi ne pisten e mbyllur të 400 metrave ishte me parametra shumë cilësore, ku në mbyllje të garës, jo vetem qi ishte i pari duke merituar medaljen e artë, por koha e tij prej 47 sekonda dhe 20 të qindat u konsiderua rekord pr pisten e Beogradit. Me këto parametra aktuale të nivelit ndërkombëtar, dy atletët shkodranë, Izmir Smajlaj dhe Franko Burraj premtojnë që në Lojërat Olimpike në Tokio dhe Kampionati Evropian që zhvillohet në Paris të vijojnë të kenë përfaqësime dinjitoze.