Numri i azilkërkuesve në Shqipëri pësoi një rënie të ndjeshme në 2020-ën, që përkoi me periudhën e pandemisë. INSTAT raportoi se në 2020 rezultojnë 2.232 azilkërkues në Shqipëri, duke pësuar rënie me 66,0%, krahasuar me vitin 2019.

Azilkërkuesit me origjinë nga Siria dhe Iraku rezultojnë respektivisht 876 dhe 339 azilkërkues, duke zënë 54,4% të azilkërkuesve gjithsej

Azilkërkuesit në Shqipëri
Azilkërkuesit në Shqipëri, referuar Drejtorisë së Azilit dhe të Huajve, si dhe Shtetësisë pranë Ministrisë së Brendshme, rezultojnë 2.232 persona. Duke analizuar vendin e origjinës së azilkërkuesve, kuptojmë se shumicën e rasteve e përbëjnë ata me origjinë nga Siria me 876 azilkërkues, Iraku me 339 azilkërkues, Afganistani me 316 azilkërkues dhe nga Maroku me 297 azilkërkues.

Po të analizojmë të dhënat sipas gjinisë, vëmë re se numri i azilkërkuesve femra është 501, ndërsa i meshkujve është 1.687. Vihet re një dominim i meshkujve në numrin e azilkërkuesve në Shqipëri me 75,6% të numrit gjithsej të azilkërkuesve.

Duke parë kërkesat për azil sipas muajve, piku i aplikimeve shënohet në tremujorin e parë, të cilët përbëjnë 97,7% të azilkërkuesve gjithsej.

Gjatë viti 2020 rezultojnë 4 vendime pozitive për dhënie të statusit të refugjatit dhe statusit të mbrojtjes plotësuese për azilkërkuesit, ku të gjithë këto raste i përkasin shtetasve nga Siria.

Bie marrja dhe lënia e shtetësisë Shqiptare
Në 2020 rezultojnë 423 persona të cilët kanë fituar shtetësi shqiptare, duke pësuar rënie me 12,8%, krahasuar me vitin 2019. Në 2020, rezultojnë 513 persona të cilët kanë lënë shtetësinë shqiptare, duke pësuar rënie me 30,8%, krahasuar me vitin 2019.

Lënia e shtetësisë shqiptare arriti rekord në vitin 2019, me 741 persona, por në vitin pandemik kjo tendencë u ngadalësua ndjeshëm./Monitor/

LEAVE A REPLY