Studimi për vaksinat Pfizer dhe AstraZeneca: Ja sa % antitrupa mbeten pas 7 muajsh…

0
1173

 

Një studim në Suedi ka konfirmuar se antitrupat e fituar nga vaksinat “Pfizer” dhe “AstraZeneca” pakësohen me kalimin e kohës, ndaj është i nevojshëm marrja e dozave shtesë.

Ekipi suedez analizoi të dhënat e mbi 2 mijë mjekëve dhe infermierëve për të mësuar mbrojtjen imunitare nga kovidi-19 dhe efektin e vaksinave.

Për personat e imunizuar me vaksinën “Pfizer-BioNTech”, niveli i antitrupave rezultoi i përgjysmuar pas tre muajve, ndërsa pas 7 muajsh antitrupat zbritën me 85 për qind nga maksimumi i tyre.

Rezultatet për “AstraZeneca”-n ishin më të ulëta, me një rënie antitrupash me 80 % tre muaj pas vaksinimit.

“Dihet fakti që niveli i antitrupave bie me kohën, por habia është rënia kaq e madhe në një grup relativisht të shëndetshëm dhe të ri. Kjo do të thotë se virusi do të vazhdojë të përhapet te grupet e vaksinuara, dhe pasojat janë për të moshuarit dhe më të dobëtit, të cilët duhet të marrin sa më shpejt dozën e tretë,” thotë Sharlote Toalin.

Mjekja dhe drejtuesja e studimit për efektin imunologjik të vaksinave antikovid shprehet se është kjo arsyeja se pse edhe vendet me norma të larta vaksinimi nuk po i ndalin infektimet.

“Antitrupat janë vetëm një pjesë e sistemit tonë imunitar. Sistemi përmban edhe qeliza të memories të cilat plotësojnë nivelin e antitrupave kur ekspozohemi ndaj një virusi, dhe nuk e dimë saktë limitin kur njeriu infektohet ose sëmuret,” shton ekspertja e imunologjisë.

Suedi ka mbi 10 milionë banorë dhe ka vaksinuar 63% të popullsisë.

Mbi 1 milionë janë diagnostikuar me koronavirusin e ri dhe 15 mijë kanë mbetur viktima të sëmundjes infektive.

Vitin e kaluar vendi nuk i aplikoi masat e rrepta të ndalimqarkullimit, ndërkohë që të mërkurën vendosi të heqë edhe kufizimet që kishte në fuqi për sa i përket pjesëmarrjes në grupe, punës nga shtëpia dhe distancimit social.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here