Pfizer dhe BioNTech bënë të ditur mëngjesin e sotëm se kanë kërkuar nga rregullatori federal autorizimin e përdorimit emergjent të vaksinës së tyre kundër coronavirusit për fëmijët e moshave nga 5 në 11 vjeç, një lëvizje që mund të ndihmojë në mbrojtjen e mbi 28 milionë njerëzve në SHBA.

Kompanitë thanë se po paraqesin të dhëna, ndërsa FDA ka premtuar të veprojë me shpejtësi dhe ka caktuar një takim më 26 tetor për shqyrtimin e vaksinës. Vendimi pritet gjatë nëntorit.

Prindërit në SHBA janë duke pritur me ankth vendimin e Autoritetit të Barnave dhe Ushqimeve, i cili mund të ndikojë fort në jetën familjare dhe mbarëvajtjen e shkollës. Dhënia e autorizimit nuk varet vetëm nga forca e të dhënave të testimeve klinike, por nga aftësia për të provuar para rregullatorëve se janë në gjendje të prodhojnë siç duhet një formulim të ri pediatrik.

Dr. Janet Woodcock, komisioneve e FDA, tha javën e kaluar se fëmijët (e moshës 5-11) mund të kenë nevojë “për një dozë apo formulim të ndryshëm nga ai që përdoret për fëmijët më të rritur apo për të rriturit”.

Pfizer ka propozuar dhënien e dozave sa një e treta e dozave të të rriturve.

Rastet e formave të rënda të Covid-19 te fëmijët janë të rralla, por varianti Delta çoi rreth 30 mijë prej tyre në spitale gjatë gushtit. Sipas Akademisë Amerikane të Pediatrisë, rreth 5.9 milion amerikanë nën moshën 18 vjeç janë prekur nga coronavirusi. Nga rreth 500 nën 18-vjeçarë që humbën jetën, rreth 125 ishin të moshave nga 5 në 11 vjeç.

Ekspertët e shëndetit publik thanë shqyrtimi i dozës për fëmijë nga FDA do të mbikëqyret rreptë. Sipas një sondazhi të fundit nga Kaiser Family Foundation, rreth një e treta e prindërve me fëmijë të moshave 5-11 vjeç thanë se do të prisnin para se të lejonin që fëmijët të merrnin vaksinën.

LEAVE A REPLY