Presidenti Meta vlerëson këngëtaren e mirënjohur Eranda Libohova me titullin “Mjeshtër i Madh”

0
159

 

Me anë të një ceremonie, Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi këngëtaren e shquar Eranda Libohova me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.

Kreu i Shtetit i akordoi artistes së mirënjohur shqiptare këtë vlerësim me motivacionin: “Për kontributin e saj të vyer 35-vjeçar në muzikën shqiptare, si dhe për talentin e rrallë dhe interpretimin e veçantë të thuajse të gjitha zhanreve dhe rrymave muzikore, veçanërisht të qindra këngëve popullore dhe tradicionale shqiptare nga veriu e deri në jug. Për kontributin e veçantë në përçimin e vlerave më të mira kombëtare, artistike e njerëzore, si një artiste me profil të konsoliduar dhe një nga zërat më të çmuar të muzikës sonë bashkëkohore.”

Në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar familjarëve dhe artistëve të shumtë të pranishëm në ceremoninë e dekorimit, Presidenti i Republikës u shpreh:

“Jam i lumtur, që ndodhemi së bashku, për të vlerësuar një personalitet shumë të dashur të publikut tonë dhe një artiste të shquar, këngëtaren Eranda Libohova.

 

 

Muzika na rrethon në çdo moment të jetës dhe na prek emocionalisht shpesh më shumë edhe sesa vetë fjalët.  Të gjithë kemi këngë, që na kanë shoqëruar në momente të caktuara të jetës dhe që kur i dëgjojmë, edhe pas shumë vitesh dhe dekadash, na sjellim menjëherë ndërmend kujtime. Të tilla janë dhe këngët e Erandës, që kanë qenë një lajtmotiv në momente të caktuara të jetës sonë. Eranda Libohova u rrit në një familje, ku të gjithë pjesëtarët e saj, kishin një tërheqje ndaj artit dhe muzikës. Me pasionin për këngën dhe  me një talent të veçantë artistik, ende adoleshente, ngjiti për herë të parë shkallët e skenës së artit profesionist, duke interpretuar në Festivalet e Këngës.

Dueti i jashtëzakonshëm i motrave Libohova, u kthye në një simbol të muzikës argëtuese, me këngë – hite dhe bashkëpunime shumë të suksesshme, kryesisht por jo vetëm me autorin e mirënjohur Agim Krajka. Çmimet e njëpasnjëshme, në projekte të ndryshme muzikore, janë shoqëruar me duartrokitjet e pambarim të publikut artdashës, që i ka mbështetur me shumë dashuri. Këto suksese i dhanë Erandës garancinë dhe sigurinë për të performuar më pas e vetme, duke krijuar një karakter krejt unik, në panoramën e këngës shqiptare, dhe duke lënë gjurmë ndër breza me hitet e saj. Ajo u shndërrua në një artiste me profil të konsoliduar dhe e përzgjedhur nga mjaft artistë të njohur të muzikës dhe poezisë shqipe, si Balliçi, Mullahi, Jorganxhi, Ishmaku etj. Në repertorin e saj, renditen dhjetëra hite, nga krijimtaria më e mirë muzikore e kompozitorëve tanë shquar. Por Eranda, me zërin e saj të bukur, ka interpretuar edhe qindra këngë popullore e tradicionale, që përfshijnë të gjitha zhanret dhe trevat muzikore, nga veriu në jug. Mjeshtëria vokale, aftësia për t’iu përshtatur ngjyrave e karakteristikave specifike të rrymave muzikore, fuqia interpretuese, vokali i ngrohtë, janë vetëm disa nga tiparet e Erandës si artiste.

Plot 35 vjet karrierë e shkëlqyer muzikore, dëshmojnë për një artiste të formuar, ku  spikat talenti i lindur dhe profesionistja e vërtetë, si  një nga zërat më të çmuar të muzikës tonë.  Për të gjithë kontributin e saj në evidentimin e vlerave më të mira artistike kombëtare, kam privilegjin të vlerësoj, në praninë tuaj  këngëtaren e shquar Eranda Libohova me Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here