Thursday, March 28, 2024
HomeEkonomiKE rrit parashikimin për ekonominë shqiptare, e çon në 6.9%: Ja dy...

KE rrit parashikimin për ekonominë shqiptare, e çon në 6.9%: Ja dy rreziqet

-

Komisioni Europian në parashikimin e vjeshtës ka përmirësuar pritshmëritë për rritjen ekonomike të Shqipërisë, duke e çuar në 6.9%, nga 4.1% që ishte vlerësimi në pranverë.

Raporti vlerëson se “Një rimëkëmbje ekonomike më e shpejtë nga ç’pritej erdhi si pasojë e rikthimit të fuqishëm të turizmit nga vendet fqinje, si dhe nga rritja e lartë e investimeve dhe rikuperimi i konsumit privat. Këta faktorë do të përcaktojnë një rritje të shpejtë ekonomike, afër shifrës 7%, për vitin 2021. Pritshmëritë e rikuperimit të plotë të turizmit dhe të prodhimit në nivelet e përpara krizës parashikohet të mbajnë rritjen ekonomike në shifrën 3.7% për vitin 2022 dhe 3.6% në 2023. Politikat fiskale mbeten shumë ekspansioniste në vitin 2021 dhe pavarësisht rikuperimit solid të rritjes së të ardhurave, financat qeveritare do të përmirësohen në mënyrë të dukshme vetëm në vitin 2023”.

Por Komisioni vlerëson se shkalla e ulët e vaksinimit mund të përbëjë rrezik për rritjen ekonomike. Një tjetër rrezik lidhet me ndikimin e rritjes potencialisht afatgjatë të çmimit të energjisë. Raporti tërheq vëmendjen dhe për konsolidimin e vonuar fiskal, që do të vonojnë uljen e deficitit buxhetor dhe borxhit publik.

Rimëkëmbja e fortë ekonomike pason tkurrjen e vitit 2020
Ekonomia shqiptare pësoi një tkurrje me 4% në vitin 2020 si pasojë e ndikimit të pandemisë së COVID-19 në turizëm, shërbime dhe prodhim. Rimëkëmbja e moderuar, e cila filloi në tremujorin e katërt të 2020, u përshpejtua me një rritje të fortë në gjysmën e parë të 2021. Parashikimi i pranverës për rritjen ekonomike në vitin 2021 është rishikuar nga 4.1% në 6.9%, pasi shumica e kategorive të shpenzimeve po rikthehen në nivelet e vitit 2019 më herët nga se pritej, ku ndikimin kryesor i kanë dhënë investimet dhe kërkesa e jashtme.

 

 

Investimet e larta publike dhe sektori financiar i qëndrueshëm e me likuiditet, mbështesin rigjenerimin e investimeve. Ndërkohë që eksportet e mallrave, kryesisht energjia elektrike dhe materialet e ndërtimit, kanë tejkaluar rikuperimin e terrenit të humbur vitin e kaluar, eksportet e turizmit, pavarësisht nga rritja e turizimit hyrës nga vendet fqinje, mbeten ende nën nivelin e para krizës. Konsumi privat gjithashtu po rikuperohet më shpejt nga pritshmëritë, mbështetur nga rritja e punësimit dhe e pagave. Ndërsa importet e përgjithshme, veçanërisht mallrat e lidhura me investimet, po rriten gjithashtu me ritme të shpejta, importet e shërbimeve mbeten të frenuara nga kufizimet e udhëtimeve që limitojnë turizmin jashtë vendit.

Për sa i përket prodhimit, rritja u rikuperua në të gjithë sektorët, ku kryeson ndërtimi dhe industria, por rikuperim të shpejtë patën edhe shërbimet, veçanërisht tregtia dhe shërbimet hoteliere, megjithëse ende nuk janë kthyer në nivelet e 2019-ës, thekson raporti.

Rritja ekonomike drejt normalizimit në vitin 2022 dhe 2023

Pas rikuperimit të hershëm të pjesës më të madhe të kategorive të shpenzimeve në vitin 2021, aktiviteti ekonomik pritet të normalizohet gradualisht gjatë vitit 2022 dhe 2023. Rritja e konsumit privat dhe publik, si dhe e investimeve, projektohet të jetë e moderuar në vitin 2022.

Nga viti 2022, investimet publike pritet të zvogëlohen gradualisht, ndërkohë që rritja e investimeve private pritet të përshpejtohet, mbështetur nga forcimi i investimeve të huaja. Kjo do të ndihmojë gjithashtu që eksportet e shërbimeve dhe prodhimi të tejkalojnë nivelet e para krizës, si dhe do të sjellë një rikuperim të fortë të importeve të shërbimeve, të cilat parashikohen të rezultojnë në një kontribut të lehtë negativ në eksportet neto. Përgjithësisht, rritja parashikohet që të ngadalësohet në 3.7% në vitin 2022 dhe më tej, në 3.6% në vitin 2023. E mbështetur nga rimëkëmbja, rritja e moderuar e punësimit pritet të ulë gradualisht shkallën e papunësisë në vetëm pak mbi 10% deri në vitin 2023.

Kjo perspektivë është subjekt i rreziqeve negative të lidhura me shkallën relativisht të ulët të vaksinimit kundër COVID-19 në Shqipëri dhe me ndikimin e rritjes potencialisht afatgjatë të çmimit të energjisë. Një rritje e konsiderueshme e çmimeve të karburanteve fosile mund të ndikojë negativisht Shqipërinë, kryesisht përmes çmimeve më të larta për importet e energjisë elektrike. Duke qenë se Shqipëria e prodhon të gjithë energjinë elektrike nga hidrocentralet, ky faktor mund të bëhet evident në rast të reshjeve të pamjaftueshme.

Rritja e suficitit tregtar të shërbimeve do të zvogëlojë deficitin e llogarisë korente

Rritja e eksporteve të mallrave parashikohet të zvogëlojë lehtësisht deficitin tregtar të mallrave në 2021, për shkak të importeve të larta të lidhura me investimet. Megjithatë, rritja e suficitit tregtar të shërbimeve dhe rikthimi i remitancave pritet të ngushtojnë deficitin e llogarisë korente në 7.7% të PBB-së në vitin 2021. Në vitin 2022 dhe 2023, normalizimi i flukseve hyrëse të remitancave dhe i bilanceve tregtare parashikohet të zvogëlojë gradualisht deficitin e llogarisë korente në 7.1% të PBB-së.

Politika monetare pritet të mbetet akomoduese përgjatë horizontit të parashikimit
Me normën e saj të ulur në nivelin rekord të politikës prej 0.5%, të pandryshuar që nga marsi i 2020-ës, banka qendrore vazhdon të mbështesë ekonominë përgjatë vitit 2021. Duke shtuar ndikimin e rritjes së fortë, por pjesërisht tranzitore të çmimeve të ushqimit dhe të transportit, presioni më i vazhdueshëm nga rritja e pagave parashikohet të ҫojë normën e inflacionit drejt objektivit të bankës qendrore prej 3% në vitin 2023, kur qëndrimi shumë akomodues i politikës monetare pritet të fillojë një normalizim gradual.

Përmirësim i vonuar i financave qeveritare
Në vitin 2021, vazhdimi i shpenzimeve të larta publike për investime parashikohet të mbajë deficitin fiskal të lartë, në 5.9%, pavarësisht rikuperimit të fortë të të ardhurave. Me përfundimin e rindërtimit pas tërmetit, investimet publike pritet të ulen përgjatë vitit 2022. Megjithatë, rritja e planifikuar e pagave në sektorin publik, së bashku me emetimin e një Eurobondi, parashikohet të ngadalësojnë uljen e deficitit fiskal dhe raportin e borxhit ndaj PBB-së në vlerat 3.5% dhe 73.9% respektivisht në vitin 2023

Related articles

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
3,912FollowersFollow
3,572SubscribersSubscribe
spot_img

Latest posts