Saturday, April 20, 2024
HomePolitikëNga integrimi, te njohja reciproke Kosovë-Serbi dhe lufta në Ukrainë, Xhaçka në...

Nga integrimi, te njohja reciproke Kosovë-Serbi dhe lufta në Ukrainë, Xhaçka në Këshillin e Sigurimit: BE të çojë përpara proceset

-

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, kryesoi takimin e radhës të Këshillit të Sigurimit me temë “Bashkëpunimi ndërmjet OKB-së dhe organizatave rajonale dhe nënrajonale (BE)”.

Ajp vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë mes OKB-së dhe BE, duke e cilësuar atë si thelbësor në adresimin e rritjes dhe kompleksitetit të krizave me të cilat përballet paqja dhe siguria ndërkombëtare.

“Ne besojmë fort, se krizat me të cilat bota po përballet bëjnë thirrje për më shumë multilateralizëm, për më shumë veprime të unifikuara dhe të koordinuara, duke përfshirë mbi të gjitha Këshillin e Sigurimit, Asamblenë e Përgjithshme dhe gjithë sistemin e OKB-së. BE është kontribuesi financiar më i madh, prandaj, ajo duhet të ndikojë dhe të projektojë veprimet e saj lidhur me çështjet humanitare, zhvillimore dhe zgjidhjen e konflikteve në mbarë botën”, tha ajo.

Kryediplomatja Xhaçka vuri theksin tek mbështetja e Komisionit Evropian për zgjerimin e BE-së, teksa u shpreh se Shqipëria është gati për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare.

“Ne kemi kënaqësinë të themi se, ne e kemi bërë pjesën tonë dhe jemi të gatshëm për kapitullin e ardhshëm, në një proces që duhet të shkojë përpara me peshën e tij të paçmuar politike, një investim pa kthim drejt stabilitetit, sigurisë dhe drejt një të ardhmeje të sigurt të përbashkët”, deklaroi ajo.

 

Fjala e Ministres Xhaçka në debatin e Këshillit të Sigurimit, Bashkëpunimi ndërmjet OKB-së dhe organizatave rajonale dhe nënrajonale:

Do dëshiroja të falënderoja Përfaqësuesin e Lartë Borrell për perspektivën e detajuar të bashkëpunimit ndërmjet OKB-së dhe Bashkimit Evropian. Pjesëmarrja juaj në këtë takim, edhe pse online, është një dëshmi e rëndësisë së kësaj çështjeje.

Bashkëpunimi ndërmjet OKB-së dhe BE-së, bazuar në Kartën e OKB-së është zhvilluar në mënyrë domethënëse përgjatë viteve. Ai është forcuar dhe është zgjeruar. Ky bashkëpunim forcon multilateralizmin e bazuar tek rregullat, në themel të të cilit është respektimi i ligjit ndërkombëtar, mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut.

Në përshëndesim bashkëpunimin e ngushtë të OKB-së dhe BE-së në përpjekjet e tyre dhe angazhimin e tyre në mënyra të ndryshme, veçanërisht në zbatimin të misioneve paqeruajtëse, proceseve paqendërtuese dhe mandateve. Ky partneritet është thelbësor në adresimin e rritjes dhe kompleksitetit të krizave me të cilat përballet paqja dhe siguria ndërkombëtare.

Herën e fundit, në këtë sallë, ju me të drejtë vërejtët Z. Borrell se: “Ne kemi nevojë që ky Këshill të japë vendime të domosdoshme. Çmimi i mosveprimit është paguar në konfliktet e pazgjidhura, në ndihmën humanitare të pashpërndarë dhe në jetët e humbura”.

Fatkeqësisht, më duhet të them se kjo mbetet një fakt dhe një nevojë edhe më e domosdoshme ditët e sotme. Këtë vit, Siguria Evropiane është kërcënuar dhe rregulli ndërkombëtar i bazuar në ligje është sfiduar seriozisht nga agresioni ushtarak i Rusisë ndaj fqinjit të saj, Ukrainës. Lufta e paarsyetuar dhe e pajustifikuar ka hyrë në muajin e saj të katërt, si dhe pasojat e saj nuk po ndihen vetëm në Ukrainë me mijëra jetë të humbura, me një masë të konsiderueshme të shkatërrimit të infrastrukturës civile dhe miliona refugjatëve. Ajo gjithashtu ka prekur tregtinë ndërkombëtare dhe ka nxitur një pasiguri ushqimore të thellë në mbarë botën.

Ndërkohë që agresioni vazhdon të vërë në rrezik jetët dhe sigurinë fizike të evropianëve, kjo gjithashtu paraqet një sfidë për vlerat e lirisë, demokracisë dhe drejtësisë që bashkojnë evropianët.

6.8 milionë refugjatë që kanë kaluar kufinjtë ndërkombëtarë, nuk janë turistë që po përpiqen të zbulojnë vende të reja, ata më së shumti janë gra dhe fëmijë të shpërngulur në mënyrë brutale nga shtëpitë e tyre, në kërkim të një strehe. Ne e vlerësojmë zemërgjerësinë dhe mikpritjen e vendeve fqinje dhe vendeve të tjera që kanë hapur zemrat dhe shtëpitë e tyre për Ukrainasit, që i janë larguar një lufte që nuk e kishin zgjedhur ata. Vendi im, Shqipëria, po jep kontributet e saj modeste për t’i mikpritur dhe mbështetur ata.

Vala e paprecedentë e refugjatëve, e paparë në kontinentin tonë që nga Lufta e Dytë Botërore, ka sfiduar seriozisht Evropën, por nuk ka cenuar unitetin e saj.

Faleminderit Përfaqësuesi i Lartë Borrell për qartësinë tuaj të vazhdueshme në këtë kontekst.
Po ashtu, ne presim që Bashkimi Evropian të përshpejtojë përpjekjet e tij në lehtësimin e dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, i cili duhet të çojë në njohje reciproke. Është koha për të parë rezultate konkrete dhe arritje të qëndrueshme. Sa më shpejt që të mbyllet ky kapitull me një marrëveshje, aq më mirë do të jetë për të gjithë, pavarësisht përkatësisë etnike apo ideologjike. Bashkimi Evropian e ka dëshmuar prej kohësh dividentin e saj të paqes për 550 milionë qytetarët e tij. Ne e vlerësojmë dhe e dëshirojmë këtë shtrirje dhe në Ballkanin Perëndimor.

Më lejoni të përfundoj,duke thënë se në gjykimin tonë, ashtu si ne në Evropë, OKB-ja dhe nëpërmjet saj bota, ka nevojë për më shumë nga BE-ja, nga aksioni i saj shumëplanësh në të gjitha fushat e rëndësishme. Kjo mund të arrihet vetëm nëpërmjet një bashkëpunimi të shtuar dhe të forcuar ndërmjet OKB-së dhe BE-së, të cilin Shqipëria e mbështet plotësisht.

Falemnderit

Related articles

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
3,912FollowersFollow
3,572SubscribersSubscribe
spot_img

Latest posts