Kryeministri Edi Rama vetëm një muaj para zgjedhjeve lokale të 14 majit premtoi rritje të pagës mesatare, ndërsa foli për një shifër 900 euro.
Ai tha në një komunikim me gazetarët se pensionistëve në prill do iu jepet 5 mijë lekë të reja plus pensionin e tyre.
“Do flasim për një rritje pagash që synon ngritjen në harkun e këtyre dy viteve, të Shqipërisë në nivelin e lartë të rajonit. Synojmë të realizojmë një target të një page mesatare prej 900 eurosh që do të thotë se jemi në kushtet e një mundësie të re, një mundësi që do ta shfrytëzojmë maksimalisht në mundësi të njerëzve dhe pas rritje së pagës minimale mund të shkojmë drejt rritjes së pagës mesatare. Do të kemi një rritje tani së shpejti për një pjesë të shkallëzuar, detajet do i diskutojmë pas aktit të miratimit, për një periudhë për 15 vitet e ardhshme. Do i qëndrojmë zotimit për rritjen e pagës së mjekëve dhe infermierëve me 7%. Ndërkohë që mjekëve specialistë paga iu rrit me 50 mijë leke të reja çdo muaj. Më pas do shkojmë te rritja e konsiderueshme. Për të tjera kategori do kemi rritje të tjera. Jemi në kushtet kur mund t’ju themi se pensionistëve se zotimin për të shpërndarë drejt tyre taksën e jashtëzakonshme që vumë mbi eksportuesit e mëdhenj të energjisë do ta mbajmë sikundër e thashë dhe më parë. Sot nuk kemi vetëm zotimin e përgjithshëm, por dhe informimin konkret se për pensionistët do ketë dhe 5 mijë lekë të reja që do shkojnë bashkë me pensionet që do marrin herën e ardhshme.”, tha ai.
Ndërkohë pyetjes nëse këtë vendim e lejon kodi zgjedhor pasi merret pak para fushatës, Rama e hodhi poshtë.