Evidentohet dhe goditet një rast i shitjes së farave të kanabisit, me qëllim kultivimin e tyre.
Arrestohet në flagrancë një 49-vjeçar, në tentativë për të shitur një sasi farash kanabisi.
Sekuestrohet një qese plastmasi, me rreth 300 fara kanabisi.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme, me fokus parandalimin dhe goditjen që në fazë fillestare, të tentativave për kultivim të bimëve narkotike, me mbështetjen e inteligjencës informative, në kuadër të operacionit policor të koduar “Masat Parandaluese”, kanë arrestuar në flagrancë shtetasin A. B., 49 vjeç, banues në Shkodër.
Gjatë kontrollit fizik ndaj 49-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një qese plastmasi brenda së cilës kishte rreth 300 fara të dyshuara kanabisi. Këto fara dyshohet se do të shiteshin nga shtetasi A. B., me qëllim kultivimin e tyre në terren.
Vijon puna hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë, për zbardhjen e plotë të këtij rasti.
Kontrollet në terren, me qëllim parandalimin dhe goditjen e tentativave për kultivimin të bimëve narkotike dhe për trafikimin e lëndëve narkotike, vijojnë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.