Kryeministri Edi Rama e ka nisur me replika fjalën e tij në Kuvend, me deputetët e opozitës, që sipas tij nuk kanë të drejtë që të flasin në emër të shqiptarëve, pasi zgjedhjet e 14 Majit i dëshmuan ata një forcë politike humbëse.
Rama tha se për rritjen e pagave, që do të bëhet tashmë realitet, socialistët kanë punuar gjatë gjithë këtyre viteve në qeveri, ndërsa ambicia e fundit të këtij mandati është paga mesatare 900 euro. Me pas ai shpjegoi se të gjitha shtetet e Rajonit nuk mund të ketë pagë më të madhe një mësues se sa Presidenti, ndonëse e respektoj mësuesin.
Pjesë nga fjala e Ramës:
“Në emër të shqiptarëve mund të flasin ata që shqiptarët i mandatojnë për të folur, por kur shqiptarët sapo kanë folur, dhe kanë folur aq qartë sa natyrisht kanë tronditur një pjesë të atyre që fatkeqësisht janë ata që nuk duan të dëgjojnë.
Janë ata që braktisën politikën dhe zgjedhjen. Pasqyra e pjesëmarrjes flet që shqiptarët nuk na kanë braktisur të gjithëve ne, por një pjesë nga ne. Sa i takon pjesës që unë përfaqësoj, shqiptarët jo vetëm që nuk na kanë braktisur por na kanë mbështetur më shumë se kurrë më parë, edhe pse ky nuk është një element i zgjedhjeve vendore. Sot jam shumë i lehtësuar për hir të së vërtetës, sepse vimë për të kaluar një projekt, që kemi luftuar çdo ditë të këtyre viteve”- theksoi Rama.
Me pas kryeministrit shtoi nga foltorja e Kuvendit deklaroi se në verë do të rihapet diskutimi për fashën e energjisë elektrike, duke nënkuptuar kështu rritjen e çmimit të dritave.
Deklarata në fjalë vjen pak pas zgjedhjeve të 14 majit, ku PS-ja fitoi 53 bashki të vendit.
Kreu i qeverisë theksoi se deri më tani rritjen e këtij çmimi e mbulon qeveria.
“Po ju kujtoj të gjithëve atyre që na ndjekin se sot vazhdon që në faturën e energjisë elektrike për të gjitha familjet dhe biznesin e vogël dhe pjesën dërrmuese të biznesit, të jetë dora e qeverisë. Ajo që paguajnë familjet, nuk është vlera reale e faturës. Familjet shqiptare dhe biznesi i vogël paguan ekzaktësisht sa paguante me çmimin përpara krizës. Ka rënë çmimi i energjisë në tregun ndërkombëtar, por nuk është kthyer aty ku ishte. Qeveria ka pasur dhe ka vullnetin e plotë që të paguaj. Me ardhjen verës konsumi do të rritet dhe do të duhet të rihapim diskutimin e fashës. Sot për sot jemi në këto kushte që vazhdojmë të paguajnë. Nëse do të ishim duke pasur një ekonomi lënguese, ku merret një shifër aty dhe një shifër atje si ajo përralla e asaj species që donte të zbukurohej, atëherë sigurisht që kjo rritje pagash nuk mund të bëhet. Ekonomia është rritur, ndryshe nga çfarë është thënë”, tha Rama.
Ai theksoi se “për sa na takon ne do të vazhdojmë vetëm përpara”. “Sot ndihem shumë i lehtësuar për hir të së vërtetës sepse vijmë për të kaluar një projekt të cilin kemi dashur ta kalojmë vite më parë dhe për të cilin kemi luftuar çdo ditë të këtyre viteve. 259 euro ishte paga mesatare, ndërkohë që Kosova e kishte 444 euro, Maqedonia e Veriut 504 euro, Serbia 537 euro dhe Mali i Zi 730 euro. Kemi qenë të fundit me diferencë. Sot tabela është si vijon: Kosova 504 euro, Maqedonia e Veriut 705 euro, Serbia 763 euro, Bosnja 890 euro, Mali i Zi 792 euro dhe me votimin e sotëm i japim rrugë një procesi që në harkun e këtij viti që vjen, në prillin e ardhshëm na çon në 900 euro pagë mesatare. Sigurisht dhe të tjerët do rriten në raport me këtë. Me këtë parashikim ngjitemi në nivelin e lartë të rajonit. Kjo është ajo që bëjmë sot, të tjerat janë dokrra hini siç thoshte At Gjergj Fishta. Ne na është dashur të përballemi me situata të cilat rajoni nuk i ka pasur. Tërmeti ka rënë në Shqipëri, jo në rajon. Situata dramatike dhe mjafton të shikohet se sa të ardhura kemi spostuar ne”, u shpreh kryeministri Rama.
“Është hipokrizi për të vënë duart në kokë për çfarë dëgjova më parë, sepse niveli i pagave nuk përcaktohen sipas qejfit por me logjikë të ekspertëve. Ka një piramidë pagash. Kur flas, flas gjëra që i mësoj shumë mirë për fushën që unë nuk di, që do të thotë që nuk mund të ndërtosh një piramidë pagash dhe të vendosësh Presidentin me më pak pagë sesa e një mësuesi.
Kemi bërë ne një lajthitje me vetëdije, madje e kemi tepruar me sistemin e drejtësie, por ajo është bërë dhe nuk zhbëhet. Është lajthitje se nuk mund të kemi prokurorë që paguhen më shumë se Presidenti. Mund ta kenë punën me më shumë stres, por nuk mund ta kenë pagën më të lartë.
Lërini jetimoret, nëse doni hajde vendosni pagën minimale për deputetët, hajdeni! Nëse doni t’i shkojmë deri në fund logjikë se të gjithë janë në hallë më të mëdha se ju, hajde vendosim. Unë mendoj se nuk i hyhet këtij monopati për t’u tallur ata që na ndjekin”, tha Rama.