Tuesday, December 3, 2024
HomePolitikëRama merr pjesë në “Global Gateway Forum 2023”: Më të fortë së...

Rama merr pjesë në “Global Gateway Forum 2023”: Më të fortë së bashku përmes investimeve të qëndrueshme

-

 

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në “Global Gateway Forum 2023”, i cili po zhvillohet në Bruksel, së bashku me liderë të tjerë nga e gjithë bota, në një debat të zgjeruar mbi çështjet në lidhje me investimet globale në infrastrukturë, duke përfshirë sfidat me të cilat përballet sektori publik dhe privat, praktikat më të mira dhe mësimet e nxjerra.

Strategjia Global Gateway e BE-së lidh vendet dhe rajonet anembanë botës, duke inkurajuar investimet publike dhe private në një rrjet global të transportit dhe zinxhirëve të furnizimit, energjinë e gjelbër, telekomunikacionet moderne, arsimin dhe kërkimin, me theks në zhvillimin e qëndrueshëm dhe në vlerat evropiane, si qeverisja e mirë, transparenca dhe partneriteti i barabartë.

Në ditën e parë të këtij Forumi, Kryeministri Rama u adresua me një fjalë:

Jam tejet i nderuar që gjendem këtu sot dhe që kam privilegjin që të flas përpara kësaj salle dhe meqë ra fjala, nuk më kujtohet hera e fundit kur kam parë një sallë ku asnjë karrige nuk ishte bosh.

Duket si mbledhja e Partisë Komuniste, por falë Zotit nuk është dhe jam i sigurt që gjithsecili prej jush ka ardhur këtu vetëm me vullnetin e tij ose të saj, askush nuk është detyruar edhe pse BE-ja i detyron njerëzit.

Kur mu tha që kisha vetëm 5 minuta, po mendoja që të punosh me BE-në duhet gjithmonë të mbash parasysh dy gjëra: të punosh fort dhe të flasësh shkurt.

Për të parën kemi nisur të punojmë dhe mjaft me sukses, ndërsa për të dytën nuk jemi ende aty ku duhet. Kështu që shpresoj se nuk do të flas aq gjatë saqëUrsula të mendojë që nuk ja vlen të më ftojë më.

Të vish këtu të shohësh njerëzit, të gjitha këto personalitete të ftuara nga kudo më erdhi ndërmend fjala e parë e Ursulës si Presidente e Komisionit ku nënvizoi ambicien e saj që Komisioni që do të drejtojë, të ishte një komision gjeopolitik dhe më duhet të them që ngjarjet e kanë ndihmuar për mirë dhe për keq sepse nuk mendoj se ka pasur ndonjë Komision më përpara, së paku mesa kujtoj, që i është dashur të merret me një rrjedhë kaq të pabesueshëm ngjarjesh, nga pandemia deri tek agresioni rus në Ukrainë dhe pak javë më parë me mizorinë, dëshmitarë të së cilës qemë të gjithë, në Izrael.

Nga ana tjetër, më duhet të them që të gjitha këto ngjarje kanë ndihmuar për ta formësuar punën e Komisionit në një mënyrë që ka qenë mjaft e dobishme, sidomos për ata të cilët janë ndjerë të lënë mënjanë më parë.

Ashtu siç mund të dëshmojnë miqtë tanë afrikanë apo të tjerë, edhe ne mund ta dëshmojmë.

Unë vij nga një vend që quhet Shqipëri që është pjesë e një rajoni i cili quhet Ballkan. Ballkani Perëndimor i thonë, e që rrethohet nga kufijtë e BE-së por ne nuk jemi BE, jemi vetëm E, pa B!

Na është dashur të bashkëjetojmë me këtë, me një lloj ndjenje izolimi, jo në kuptimin e tmerrshëm me të cilin ky term shfaqet në kujtesë, por në një mënyrë të tillë që jemi ndjerë gjithmonë sikur ishim të dënuar të ishim qytetarë të dorës së dytë të këtij kontinenti dhe kjo ka ndryshuar dhe po ndryshon dita-ditës.

Pak ditë më parë ne mikpritëm Komisionin Europian, Presidenten e tij dhe shumë të tjerë në Tiranë për një Samit, i cili vetëm pak vite më parë do të ishte i paimagjinueshëm.

Një Samit që mblodhi bashkë Ballkanin Perëndimor dhe udhëheqësit nga Bashkimi Europian dhe vetë Bashkimin Europian për të parë nga e ardhmja.

U gëzuam shumë që dëgjuam atje Presidenten e Komisionit, e cila paraqiti një plan mjaft ambicioz për këtë rajon i cili quhet “Plani i ri i Rritjes”. Kjo është vërtetë muzikë për veshët tanë sepse po, reformat janë të nevojshme. Po, demokratizimi i mëtejshëm është i nevojshëm.

Po, rreshtimi me vlerat e parimet e Bashkimit Europian është thelbësor, por siç dikur AngelaMerkel thoshte: “Autostradat nuk funksionojnë siç duhet pa demokraci, por demokracia pa autostrada nuk mund të funksionojë si duhet”. Kësisoj, infrastruktura është e nevojshme.

Ashtu siç president Macky Sall përmendi para meje dhe Europa, forca e saj qëndron në fuqinë për të transformuar politikisht dhe ekonomikisht veten, fqinjët e saj dhe do të shtoja dhe miqtë e saj.

Europa, dhe meqë ra fjala Bashkimi Europian, ne jo ende, është një krijesë mjaft e vështirë për tu marrë, duhet të kesh nerva mjaft të forta, duhet të jesh mjaft i përgatitur për të mos ta lënë të të zërë depresioni para se të të zërë BE-ja.

Ndërkohë, është dashuri e ashpër.

Është një rrugë që duhet ta përshkosh e ku merr mësime dhe ku për shkak të zhgënjimit, ndonjëherë mendon se ka rrugë të lehta në drejtime të tjera, por më duhet të them që në asnjë drejtim tjetër nuk do të gjesh një mik e një aleat që është i fortë e që kurrë, asnjëherë nuk do të të sulmojë.

E që kurrë, asnjëherë nuk do sulmojë askënd e që gjithmonë do të përpiqet të ndihmojë gjithkënd e ky është Bashkimi Europian.

Nga ana tjetër, dua të them se kjo hapje që po shohim falë kësaj marrëdhënieje gjithmonë e më të ngushtë me Bashkimin Europian, është thelbësore jo vetëm për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, por dhe për vetë Bashkimin Europian.

Jam i sigurt që e njëjta gjë vlen për miqtë tanë afrikanë, e njëjta gjë vlen dhe për të tjerë, që në këtë marrëdhënie është e sigurt që do të gjejnë shumë, shumë arsye për të pyetur veten a ja vlen, por nga ana tjetër nuk ka asgjë që ia vlen më shumë sesa t’i afrohesh gjithmonë e më pranë Bashkimit Europian dhe për ne shqiptarët, që kemi përjetuar një histori, e cila na ka detyruar të bëjmë një sërë martesash të padëshiruara, na besoni, kjo mund të jetë martesa më e vështirë për tu bërë, por e vetmja martesë që ia vlen të kërkohet.

Po ju them dhe nga përvoja ime personale. Unë kam pasur disa dështime në martesë, por pasi gjeta atë të duhurën dhe duke qenë i lumtur me të, unë besoj gjithmonë që kjo do të ndodhë edhe me Shqipërinë e të tjerët kur më së fundi të martohen me Bashkimin Europian. Faleminderit shumë!

Dua që t’ju lë duke ju thënë një fakt të vogël sepse dua që ta dini që e gjithë buzëqeshja ime, e gjithë dashuria ime, gjithçkaja ime për Europën dhe Bashkimin Europian është pa kushte, por nuk është e pa mend.

Vetëm mendoni, që ne rrethohemi nga kufijtë e BE dhe fqinjët tanë që janë BE marrin 4517 euro për frymë nga vetë Bashkimi Europian. Ajo çfarë marrim ne në E-në, pa B-në është vetëm 138 euro për frymë.

Është një hendek shumë i madh që ne e mbushim me dashuri, që e mbushim me shpresë, që e mbushim me ambicie, që e mbushim me ide shumë të qartë që nuk ka asgjë më të mirë që mund të lëmë pas për fëmijët tanë, por shpresoj fort që ajo çfarë Presidentja e Komisionit dhe ky Komision po punojnë fort për të bërë, do t’ia dalin me sukses sepse në fund të fundit, fëmijët tanë nuk duhet të trashëgojnë vetëm testamentin e dashurisë, por edhe provën që kjo martesë është e vetmja që ia vlen të kesh! Faleminderit!

Related articles

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
3,912FollowersFollow
3,572SubscribersSubscribe
spot_img

Latest posts