Në Ditën Botërore të Aksidenteve Vaskulare Cerebrale, (Sroke Day) u organizua sot në Tiranë një aktivitet ndërgjegjësues me moton “Bëhu më i fortë se Goditja!”.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka bërë thirrje për ndërgjegjësim dhe kontrolle në kohë, në mënyrë që të parandalohen faktorët e riskut që mund të çojnë në fatalitete.
Koçiu nënvizoi se “falë punës së bërë vitet e fundit për shërbim shëndetësor universal, sot kemi të mbuluar me mjekë neurologë të gjitha Spitalet Rajonale, ku mundësohet trajtimi i të sëmurëve me medikamente bashkëkohore pranë vendbanimit të tyre”.
Gjithashtu, ministrja vuri në dukje se “një nga arritjet e viteve të fundit është krijimi i qendrave të trombolizës në spitalet tona duke shpëtuar jetë dhe eliminuar paralizën”.
Duke apeluar për kujdes të shtuar ndaj shenjave paralajmëruese, ministrja Koçiu deklaroi se me sistemin e Urgjencës Kombëtare dhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore, qytetarëve u ofrohet shërbimi në kohë reale.
Shkaku i tretë i vdekjeve në botë, si dhe shkaku i parë i invaliditetit është goditja (vaskulare) në tru apo goditja cerebrale, e cila mund të godasë këdo dhe çdo grupmoshë.
Për këtë, ministrja u shpreh se kontrolli mjekësor bazë është hapi kryesor që të evidentojmë në kohë elementet që kërcënojnë shëndetin dhe të parandalojmë rrezikun e prekjes nga dëmtimet vaskulare të trurit.
“Ndaj mesazhi është që të kryejmë kontrolle periodike, sidomos check-up që bën të mundur kapjen në kohë të faktorëve të riskut dhe shpëtimit të fataliteteve”, deklaroi ministrja Koçiu.
Ministrja falënderoi edhe psikologët, punonjësit socialë dhe fizioterapistët në të gjitha qendrat shëndetësore që bëjnë një punë lavdërueshme për të ndërgjegjësuar qytetarët për faktorët që janë seriozë nëse nuk kapen në kohë.
Në listën e barnave të rimbursueshme nga shteti janë të gjitha grupet që trajtojnë këto sëmundje dhe faktorët e riskut, (si hipertensioni, diabeti, obeziteti, çrregullimet e ritmit të zemrës etj).