Miliona vezë janë tërhequr nga dyqanet dhe magazinat në Gjermani, Holandë dhe Belgjikë, pasi u zbulua se përmbajnë nivele të larta të një insekticidi toksik të ndaluar nga përdorimi në prodhimin e ushqimit për konsum njerëzor, raporton gazeta britanike The Guardian në numrin e sotëm.
Rreth 180 ferma në Holandë janë mbyllur përkohësisht dhe është nisur një hetim penal pasi autoritetet kërkojnë të zbulojnë shkallën e problemit. Rreth një milion vezë të destinuara për në Gjermani u kthyen nga kufiri me Holandën këtë javë.
Analizat që u janë bërë vezëve kishin treguar nivele të larta të insekticidit fipronil, një përbërës i zakonshëm në produktet veterinare për të hequr qafe pleshtat dhe morrat, por i cili ndalohet të përdoret për të trajtuar kafshët dhe shpendët e destinuara për konsum njerëzor.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, substanca shumë toksike mund të dëmtojë mëlçinë, gjëndrat tiroide dhe veshkat, nëse preket me sasi të mëdha me kalimin e kohës.